Kaso: Protesta pa ndalim deri në largimin e Ramës, dhuna e policisë u jep qytetarëve më shumë arsye për t'u rikthyer
Kur vetëm pak minuta na ndajnë nga nisja e protestës së thirrur nga opozita, gjatë një interviste për SYRI TV, Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, deklaroi se aksioni opozitar nuk do të ndalet derisa të arrihet objektivi politik i largimit të kryeministrit Edi Rama.
Duke komentuar riformatimin e qeverisë, Kaso i quajti lëvizjet thjesht "makiazh dhe kozmetikë". Sipas tij, nuk ka asnjë ndryshim real në qeverisje, pasi Edi Rama mbetet i vetmi person që "vendos, firmos dhe vulos për gjithçka". Ai shtoi se këto ndryshime nuk arrijnë të mashtrojnë as opozitën dhe as qytetarët, duke i parë si një tentativë për të zbutur impaktin e aferave korruptive, si ajo që çoi në largimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kaso zbuloi se protesta e sotme do të ketë një format të ri, ndryshe nga të mëparshmet. Ajo do të jetë pa fjalime, por do të konsistojë në marshime në rrugët e Tiranës.
"Kemi nisur një cikël protestash, të cilat nuk do të ndalen deri në arritjen e objektivit tonë politik," theksoi ai. Synimi, sipas Kasos, është gjithashtu sensibilizimi i atyre qytetarëve që, edhe pse kanë arsye për të protestuar, ndihen të frikësuar dhe të kërcënuar nga mekanizmat shtetërorë. Përfaqësuesi i PD-së lëshoi akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit, duke u shprehur se përdorimi i forcës disproporcionale është kthyer në një "traditë famëkeqe".
Ai deklaroi se policia është shndërruar nga një institucion garantues i sigurisë në një "armë represioni të pushtetit". Sipas tij, përdorimi masiv i gazit lotsjellës dhe mjeteve të tjera synon të dekurajojë protestuesit, por paralajmëroi se një veprim i tillë do të ketë efektin e kundërt. Në mbyllje, Kaso u shpreh i bindur se reagimi i ashpër i autoriteteve jo vetëm që nuk e arrin qëllimin për të shuar protestat, por "më të zemëruar i bën njerëzit dhe u jep më shumë arsye për t'u rikthyer", deri në përmbushjen e kërkesës për largimin e qeverisë.
Kaso:
Nuk ka ndryshime në qeveri, në qeveri ka vetëm një person që vendos, firmos, vulos për gjithçka, që është Edi Rama dhe përsëri ai ka ngelur.
Këto makiazhet dhe kozmetika për të thënë që Belinda nuk iku vetëm, por iku me një grup shokësh, jo vetëm që nuk kënaqen opozitën dhe aksionin e saj, por besoj që nuk i hedhin hiç syve asnjë qytetari të këtij vendi. Në një moment që zëvendëskryeministrja e cila e mban nën presion kryeministrin, jo vetëm dikton mënyrën se si do të largohet nga qeveria, por dhe dikton zarat e saj që do të jenë kokat e ardhshme të turkut për çdo lloj afere korruptive që të jeni të bindur sa kohë të jetë Edi Rama në qeveri, ka për të vazhduar në këtë vend.
Do të ketë protesta të pandalshme. Ne e thamë që kjo nuk është çështje që zgjidhet me një protestë të vetme, pavarësisht se reagimi qytetar ka për të qenë masiv dhe i vendosur, por ne kemi nisur një steam protestash, të cilat siç e thashë, nuk do të ndalen deri në arritjen e objektivit tonë politik. Synimi i kësaj proteste si dhe i protestave të tjera është në radhë të parë gjithashtu të sensibilizojë edhe të gjithë ata shqiptarë të cilët të frikësuar, të trysnuar, të kërcënuar për bukën e gojës, kanë shumë arsye për të protestuar por janë në pamundësi për ta bërë një gjë të tillë, pasi i gjithë mekanizmi represiv i pushtetit të shkon kundër tyre.
Është bërë një traditë famëkeqe tashmë që reagimi është proporcional i Policisë së Shtetit, e cila nga një instrument që duhet të ishte në garanci dhe në ruajtje të sigurisë së qytetarëve, të rendit publik, është kthyer në një armë edhe në një mjet represioni i këtij pushteti, i cili nëpërmjet përdorimit masiv të gazit lotsjellës, të ujit, të spray-it, të plumbave të gomës e të tjera, synon që të dekurajojë jo vetëm qytetarët të dalin të protestojnë, por dhe protestuesit të cilët vijnë të shumtë me qëllim që të mos vijnë herët e tjera. Të jenë të bindur që jo vetëm nuk e arrijnë qëllimin, por më të zemëruar i bëjnë njerëzit dhe kanë më shumë arsye për t'u rikthyer në protestën e radhës edhe deri në arritjen e qëllimit politik të opozitës së bashkuar.