SHBA e Izraeli sulmojnë Iranin, Teherani përgjigjet me raketa në bazat amerikane - Shpërthime dhe në Dubai
Iran nisi një valë të re sulmesh me raketa ndaj bazave amerikane, shkruajnë mediat ndërkombëtare. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka njoftuar nisjen e një vale të re sulmesh me raketa kundër bazave amerikane në Lindjen e Mesme, raporton agjencia Agence France-Presse (AFP), duke cituar televizionin shtetëror iranian.
Ndërkohë Reuters shkruan se disa shtete arabe të Gjirit thanë se u goditën nga raketa iraniane sot, pasi Teherani u zotua për hakmarrje ndaj sulmeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, duke e zhvendosur konfliktin në pjesën e botës arabe që krenohet me sigurinë.
Media shtetërore në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftoi se një person ka humbur jetën në Abu Dhabi, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Të gjitha territoret e pushtuara dhe bazat kriminale amerikane në rajon janë goditur nga raketat iraniane. Ky operacion do të vazhdojë pa ndërprerje derisa armiku të mposhtet përfundimisht”, deklaroi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, informon Reuters.
Në BBC një dëshmitar ka dërguar një foto që tregon një re tymi pranë hotelit në Dubai.
Media shtetërore iraniane ka raportuar se është ndërmarrë një sulm ndaj Dubait por nuk është e qartë saktësisht se cilat objektiva po synon Irani, edhe pse në vend ka prani ushtarake amerikane.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Emiratet e Bashkuara Arabe ka bërë të ditur se ka ndërprerë një valë të re raketash dhe dronësh iranianë, sipas raportimeve të Emirates News Agency të cituara nga Reuters.
Nga ana tjetër ushtria izraelite thotë se “disa figura të larta” të regjimit iranian janë vrarë pas sulmeve të sotme.
Një zyrtar ushtarak izraelit deklaroi se tre objekte, ku ishin mbledhur anëtarë të qeverisë iraniane, u goditën njëkohësisht gjatë operacionit.
Sipas tij, Ushtria Izraelite ka qenë në “bashkëpunim të ngushtë” me Ushtrinë Amerikane për të hartuar një listë “të vlefshme dhe të gjerë” objektivash.
“IDF është e përgatitur të godasë në Iran sipas nevojës”, shtoi zyrtari.