Protesta kombëtare, Baçi: Qytetarët t’i japin fund qeverisjes së grupi uzurpatorësh dhe hajdutësh!
Në një thirrje të fortë për mobilizim qytetar, përfaqësues të opozitës bëjnë të ditur se protesta e radhës kombëtare nuk do të jetë një tubim i zakonshëm, por një "revoltë" që synon të "neutralizojë qeverinë" dhe të bllokojë atë që cilësohet si "aktiviteti i saj i vjedhjes dhe grabitjes".
Në intervistën për edicionin e mesditës në Syri Tv, ligjvënësi demokrat, Luan Baçi tha se pakënaqësia e grumbulluar prej vitesh ka arritur kulmin, veçanërisht pas zgjedhjeve të 14 majit, të cilat i përshkroi si "të vjedhura dhe të manipuluara", një fakt i vërtetuar, sipas tij, edhe nga organizmat ndërkombëtarë si OSBE/ODIHR.
Sipas tij, protesta nuk është një miting elektoral, por një shprehje vullneti dhe zemërimit qytetar, që kërkojnë të drejtat e tyre të mohuara. Konteksti aktual përshkruhet si i paprecedentë, duke argumentuar se asnjë vend tjetër nuk ka një qeveri ku një numër kaq i lartë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh, përfshirë ministra e kryebashkiakë, janë nën hetim apo të arrestuar.
Qëllimi final, sipas deputetit të PD, është arritja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët të vendosin vetë fatin e tyre, duke i dhënë fund qeverisjes së një "grupi uzurpatorësh dhe hajdutësh".
Një paralajmërim të qartë Baçi pati dhe ndaj Policisë së Shtetit. Ai theksoi se detyra e policisë është të mbrojë qytetarët dhe të garantojë protestën, jo të mbrojë pushtetin, duke përmendur emrat e kryeministrit Rama dhe ministres Balluku.
"Çdo lloj provokimi që ata do t'i bëjnë qytetarëve protestues të ndershëm, do të përgjigjen nesër përpara ligjit. Nuk duhet të harrojnë se nuk ka përjetësi të pushtetit," përfundoi ai.
Këto janë protestat kombëtare që Partia Demokratike herë pas here i ka organizuar dhe po vazhdon t'i organizojë në intervale kohore shumë të shkurtra madje, brenda 10 ditëshi maksimumi. Janë protesta të vazhdueshme, atë që ka thënë në strategjinë e saj Partia Demokratike dhe do të jenë protesta të qëndrueshme. Patjetër njëra protestë nga tjetra nuk mund të ngjajë, për vetë pjesëmarrjen që ka protesta, në numrin masiv të njerëzve që marrin pjesë, i qytetarëve që marrin pjesë, por patjetër dhe për mënyrën se si do të zhvillohen protesta. Unë gjithmonë e kam pasur mendimin dhe vazhdoj ta kem që dita e protestës është një ditë që pushteti është në duart e qytetarëve dhe në protestë qytetarët duhet të vendosin. Protestat nuk janë mitingje elektorale. Protestat nuk janë as mitingje partie para apo pas fushate elektorale, qofshin në humbje apo në fitore. Protesta është një aktivitet, është një revoltë e qytetarëve që mblidhen vullnetarisht për të shprehur zemërimin e tyre, revoltën e tyre, mërzitjen e tyre, pakënaqësinë e tyre të grumbulluar prej vitesh dhe për të kërkuar të drejtat e tyre të mohuara dhe të shkelura nga një qeveri që ka dhënë prova tashmë që di vetëm të vjedhë dhe të grabisë.
Jemi vërtet pas zgjedhjeve të 14 majit. Zgjedhje të grabitura, të vjedhura, të vërtetuara botërisht tashmë edhe nga organizma ndërkombëtarë, siç ishte OSBE-ODIHR, janë zgjedhje të manipuluara, të vjedhura dhe të grabitura. Por, por, që është më e rëndësishmja, jemi në një situatë krejt të veçantë. Nuk besoj se do ketë shembull ndonjë shtet tjetër që pothuaj ëh, një qeveri që qeveris më shumë se 12 vjet në tre mandate, të ketë të burgosur, të paraburgosur, nën hetim dhe të pandehur, një numër shumë të lartë shtetarësh të tyre. Pra, në qoftë se sot do të numërojmë ëh, ish-deputetët, ish-ministrat, ish-kryetarët e bashkive dhe duke ulur dhe në nivelet e tjera të drejtorëve të drejtorive dhe punonjësve të tjerë të administratës, të ndryshëm të administratës, është numri shumë i madh nga qeveria apo dhe nga administrata që ata kanë sot në punë. Parë në këtë këndvështrim, reagimi, revolta e qytetarëve duhet të jetë e herëpashershme dhe duhet të jetë çdo ditë dhe çdo herë dhe më e fuqishme.
Është një lloj kur jemi në rrugë, apo jemi në punë, në zyrë, në aktivitetin tonë dhe të vijnë grabitësit, të hyjnë brenda dhe të marrin atë që ti ke, të fusin duart në xhepa, të marrin paratë nga xhepat dhe të vjedhin të mirat materiale që ke ti në shtëpinë tënde. Si ishte reagimi i një qytetari në një rast të tillë? Patjetër që reagon fuqishëm me të njëjtin monedhë duke e neutralizuar atë hajdutin, duke e kapur hajdutin për fytit dhe duke e ndaluar aty që të ndërhyjnë pastaj organet e e ligjit. Këtë duhet të bëjmë dhe ne, këtë duhet të bëjnë dhe protestuesit. Duhet të neutralizojmë qeverinë. Duhet që qeverinë ta bllokojmë në aktivitetin e saj të vjedhjes dhe të grabitjes dhe kjo bëhet me anë të protestës. Kjo bëhet me anë të masivizimit të protestës, pjesëmarrjes së madhe të qytetarëve, pa dallim bindje politike dhe pa dallim partish politike.
Patjetër që Partia Demokratike është pjesa dërrmuese, është partia më e fuqishme, është alternativa e vetme e pushtetit, është e organizuar në bazë strukturash ashtu siç shikohet dhe është Partia Demokratike ajo që udhëheq dhe drejton, por ama edhe forcat e tjera politike, qofshin këto parlamentare ose jo parlamentare, shoqëria civile, fermerët e ndershëm të pasubvencionuar, të vjedhur dhe të grabitur që janë drejt falimentimit, studentët, qytetarë të tjerë, individët, qytetarët me përkrahje sociale që dhe me ndihmë ekonomike tallëse për ta dhe pensionistët që tallet kjo qeveri, pra të gjitha shtresat e shoqërisë duhet të jenë në këmbë, duhet të jenë në protestë, duhet të neutralizojmë qeverinë, ta bllokojmë aktivitetin e saj dhe t'i sigurojmë qytetarëve një palë zgjedhje të lira e të ndershme, ku qytetarët të vendosin vetë me votë se kush do t'i qeverisi dhe të jenë ata që e kontrollojnë jetën e vet, jetën e këtij vendi dhe jo një grup uzurpatorësh, një grup hajdutësh që kanë kapur të gjitha pushtetet, se është e rëndësishme që ta themi.
Në protestën e kaluar, të datës 20 shkurt, nuk ishte mbaruar fjalimi i doktor Berishës dhe policia u hodhi gaz lotsjellës, hodhi ujë, pra provokoi vetë qytetarët dhe protestuesit. Policia nuk është aty për të mbrojtur pushtetin. Policia është për të mbrojtur qytetarët, për të garantuar rendin dhe qetësinë. Partia Demokratike ka lajmëruar për protestë kombëtare dhe kaq ka detyrë për të bërë, lajmërimin, njoftimin, ditën dhe orën, ndërsa policia duhet t'i përgjigjet garantimit të protestës. Dhe po të shikojmë, po të vëmë re në djallëzinë dhe në hipokrizinë e tyre, në ligësinë do të thosha të drejtuesve të policisë, thonë që nuk marrin përsipër garantimin e protestës dhe nga ana tjetër aktivizojnë me qindra dhe madje kalojnë me mijëra numri i forcave të policisë që janë në terren. Me këtë çfarë duan të thonë, çfarë duan të tregojnë? Që janë polici në mbrojtje të pushtetit, në mbrojtje të të korruptuarve, në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe të Edi Ramës? Policia duhet të jetë në mbrojtje të qytetarëve, të sigurimit të rendit dhe të qetësisë. Dhe çdo lloj provokimi që ata do t'i bëjnë qytetarëve protestues të ndershëm, të lirë për të protestuar, do të përgjigjen nesër përpara ligjit. Nuk duhet të harrojnë se nuk ka përjetësi të pushtetit, të asnjë lloj.