Berisha: Pasuritë e krimit dhe korrupsionit do i shndërrojmë në fonde për të ndihmuar qytetarët
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, lideri opozitar Sali Berisha deklaroi se pasuritë e krijuara nga krimi dhe korrupsioni gjatë viteve të fundit do të konfiskohen dhe do të shndërrohen në fonde për të ndihmuar qytetarët.
I pyetur mbi fatin e pasurive të paluajtshme të zhvilluara gjatë dekadës së fundit, Berisha theksoi se opozita po punon për hartimin e një projektligji të posaçëm, si dhe për krijimin e një agjencie kombëtare që do të merret me identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme të zyrtarëve dhe personave të lidhur me ta.
Sipas tij, fondet e përfituara nga konfiskimi do të përdoren për rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe për mbështetje në strehim dhe politika sociale për qytetarët shqiptarë.
Deklarata për media:
Luma Atdheu: Çfarë do të ndodhë me pasuritë e paluajtshme që janë zhvilluar këto 10 vitet e fundit nga korrupsioni dhe krimi? A keni bërë projektligj për këtë?
Sali Berisha: Ne po punojmë për një projektligj shumë të mirë dhe një agjenci kombëtare që do merret vetëm me gjuetinë, gjetjen, identifikimin e të gjitha pasurive të krimit të qeveritarëve, zyrtarëve shqiptarë dhe karteleve të lidhura me to.
Të gjitha do shndërrohen në fonde për të ndihmuar qytetarët për rrogat, pensionet, strehimin, etj.