Berisha: Ftoj çdo socialist të ndershëm, të bashkohemi të heqim këtë të keqe të madhe që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë në krye pas Enver Hoxhës

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, lideri opozitar Sali Berisha ftoi çdo socialist të ndershëm të bashkohet me opozitën për të larguar “të keqen e madhe” që qeveria aktuale ka sjellë në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si më të rëndën që vendi ka pasur pas periudhës së Enver Hoxhës.

Berisha kritikoi ashpër lidershipin e Edi Ramës, duke e akuzuar se ka forcuar lidhjet me krimin e organizuar dhe ka shndërruar qeverinë në një strukturë kriminale, ndërkohë që ftoi socialistët që të qëndrojnë në anën e qytetarëve dhe të idealit për një Shqipëri të drejtë dhe demokratike.

Deklarata e plotë:

Alban Tirana: Përshëndetje Doktor, jam një socialist dhe më vjen shumë keq ku është katandisur PS e Fatos Nanos dhe shumë akademikëve dhe profesorëve që janë zëvendësuar me Zeqinetë e Ramës. Më vjen shumë keq për partinë time që e ka mbuluar krimi dhe korrupsioni.

Sali Berisha: Përshëndetje Alban, në vitin 2013, kur Edi Rama erdhi në pushtet pas një rotacioni, dëshmi e funksionimit të demokracisë, në parlament unë i jam drejtuar me këto fjalë: Lidhjet e tua me krimin janë universalisht të njohura, por qytetarët shqiptarë u votuan dhe do të thotë se u amnistuan për lidhjet që keni me krimin. Jam i sigurt se edhe Brukseli do të amnistojë, do të pranojë verdiktin e qytetarëve shqiptarë.
Por, gjithçka do të përcaktohet nga qëndrimi yt ndaj krimit të organizuar.
Do i presësh ti lidhjet me krimin dhe bandat, ky do jetë një zhvillim shumë i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Do i forcosh dhe do përdorësh pushtetin për t’i forcuar ato, kjo do jetë një tragjedi.
E vërteta është se, ai përdori të gjithë pushtetin e tij për të forcuar gjithnjë e më shumë lidhjet me bandat gjersa e shndërroi qeverinë e tij në një organizatë të mirëfilltë kriminale.
Ndaj dhe unë, ftoj çdo socialist të ndershëm që ka idealet e tij të bashkohemi të heqim këtë të keqe të madhe që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë në krye pas Enver Hoxhës.