Referendumi për Reformën në Drejtësi në Itali, Prokurori i Antimafias kundër
Nga Alba Kepi
Prokurori i Antimafias Nicola Gratteri kundër reformës.
“Mafia kalabreze Ndrangheta e qendra të caktuara pushteti po ndikojnë të votohet pro saj. Reforma favorizon të pasurit e minon demokracinë”
Italia do të votojë më 22-23 mars 2026 për referendumin mbi reformën e drejtësisë, një proces që ka shkaktuar polemika të forta politike dhe institucionale. Në qendër të debatit është edhe prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, i njohur si një nga ekspertët më të mëdhenj në luftën kundër mafias, i cili ka shprehur hapur kundërshtimin e tij ndaj reformës.
Çfarë parashikon reforma?
Një nga pikat kryesore të reformës lidhet me ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe me ndryshime kushtetuese që, sipas kritikëve, prekin disa nene të Kushtetutës italiane. Sipas Gratterit, po synohet të ndryshohen shtatë nene të Kushtetutës për një numër shumë të vogël magjistratësh (më pak se 30 në vit) që kërkojnë të kalojnë nga funksioni i gjyqtarit në atë të prokurorit ose anasjelltas.
Ai thekson se ky kalim duhet të inkurajohet, pasi ndihmon prokurorin të arsyetojë si gjyqtar dhe të kërkojë jo vetëm prova fajësie, por edhe prova në favor të të pandehurit.
Në një intervistë për mediat italiane Gratteri është shprehur se me këtë reformë “i pandehuri i varfër do të jetë më pak i garantuar”. Sipas tij, nëse prokurori kthehet vetëm në një “akuzues”, pa detyrimin për të kërkuar edhe prova në favor të të akuzuarit, sistemi do të favorizojë ata që kanë mundësi të paguajnë avokatë shumë të shtrenjtë dhe hetime private.
Debati është ashpërsuar edhe nga përplasjet personale. Gratteri ka deklaruar se pret ende një padi nga lideri i Matteo Salvini, pasi kishte thënë se ‘Ndrangheta dhe qendra të caktuara pushteti do të votonin “Po” në referendum.
Ai ka replikuar edhe me ministrin e Drejtësisë, Carlo Nordio, i cili kishte folur për mundësinë e testeve psikiatrike për magistratët në fund të karrierës. Gratteri ironizoi duke thënë se pret që të hapet një procedurë për të vlerësuar nëse ai është “i çmendur”, nëse deklaratat e ministrit duhen marrë seriozisht.
Gjithashtu, ai ka kritikuar deklaratat e zëvendëskryeministrit Antonio Tajani, i cili kishte përmendur mundësinë e vendosjes së policisë gjyqësore nën kontrollin e ekzekutivit pas referendumit. Sipas Gratterit, kjo do të ishte “gur varri për çdo hetim”, pasi në çdo hetim përfshihen edhe “jakë të bardhë”.
Gratteri ka kujtuar punimet e Asamblesë Kushtetuese italiane, duke i cilësuar si “leksione demokracie” nga figura të mëdha të së djathtës dhe të majtës. Sipas tij, ndryshimet aktuale rrezikojnë ekuilibrat e vendosur nga Kushtetuta.
Megjithëse shprehet qartë kundër reformës, ai ka theksuar se nuk dëshiron të jetë “përfaqësues” i kampit të “Jo”-së, duke u cilësuar si një magistrat i pavarur që nuk i përket asnjë rryme.