Berisha: Misioni faktmbledhës i PPE na garantoi për mbështetje të fuqishme, sipas tyre situata në vend është shokuese

Lideri i opozitës Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se misioni faktmbledhës i Partive Popullore Europiane (PPE) në Shqipëri ka konstatuar një gjendje shokuese dhe ka garantuar mbështetje të fuqishme për opozitën shqiptare.

Berisha nënvizoi se gjatë vizitës së dy ditëve, përfaqësuesit e 30 partive anëtare të PPE, të kryesuar nga sekretarja e përgjithshme Dolors Montserrat dhe nënkryetarja e organizatës, kanë pasqyruar në mënyrë të përgjegjshme dhe reale situatën në vend.

Ata u njoftuan me problematikat kryesore që ndikonin në Shqipëri dhe shprehën vlerësimin e tyre për qëndresën e opozitës, duke siguruar mbështetje më të madhe për sfidat politike në vijim.

Deklarata e plotë:

Të dashur miq, ditët që kaluan kishin disa zhvillime të tjera jashtëzakonisht pozitive për ne, për opozitën dhe për shqiptarët.
Në Shqipëri erdhi misioni faktmbledhës i Parlamentit Europian për të parë në vend gjendjen në Shqipëri.
Këta deputetë, të gjitha grupeve parlamentare të PE, pasqyruan dje dhe pardje, gjatë këtyre ditëve qëndrimet e tyre në mënyrë shumë të përgjegjshme dhe reale gjendjen në Shqipëri.
Mbi këto raporte dhe mbi këtë bazë, dje një raport për Shqipërinë paraqiti të gjithë problematikën e madhe të Shqipërisë.
Një raport tjetër po përgatitet për të damkosur Edi Ramën dhe regjimin e tij.
Përveç kësaj, jeni dëshmitarë se gjatë kësaj jave në Shqipëri qëndroi për dy ditë misioni faktmbledhës i Partive Popullore Europiane, i përbërë nga përfaqësuesit e 30 partive politike anëtare të kësaj organizate, i kryesuar nga sekretarja e përgjithshme Dolors Montserrat dhe nënkryetarja e PPE.
Në takimet e tyre të shumta me PD, me median, me shoqërinë civile, ata gjetën një realitet shokues, duhet t’ua them, e vlerësuan shokuese gjendjen dhe na garantuan për mbështetje të fuqishme.
Na përgëzuan për qëndresën që bëjmë dhe na siguruan për mbështetje më të mëdha.