Italia në alarm diplomatik për zhvillimet në Lindjen e Mesme
Nga Alba Kepi
Pak orë pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, thirri këtë mëngjes një konferencë telefonike të nivelit të lartë me drejtuesit kryesorë të qeverisë dhe të sigurisë kombëtare.
Në takim morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, Zëvendëskryeministri Matteo Salvini, Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto, Nënsekretarët Alfredo Mantovano dhe Giovanbattista Fazzolari, si dhe drejtuesit e strukturave të inteligjencës.
Gjatë diskutimit u analizua situata e përgjithshme me fokus të veçantë në sigurinë e qytetarëve italianë që ndodhen aktualisht në vendet e rajonit. Qeveria italiane u bëri thirrje të gjithë italianëve për kujdes maksimal dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e ambasadave italiane në zonë, si dhe komunikimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme.
Në një deklaratë zyrtare, ekzekutivi italian theksoi se në këtë moment delikat, Italia qëndron pranë popullsisë civile iraniane, e cila vazhdon të kërkojë me guxim respektimin e të drejtave civile dhe politike.
Kryeministrja Meloni pritet të mbajë kontakte të vazhdueshme me aleatët kryesorë ndërkombëtarë dhe liderët e rajonit në orët dhe ditët në vijim, me synimin për të mbështetur çdo iniciativë diplomatike që mund të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe në stabilizimin e situatës.