Një burrë arrestohet për përdhosjen e monumentit të Winston Churchill në Londër
Një burrë 38-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për dëmtim të pronës me motive raciste, pasi ka shkruar me grafiti monumentin e Winston Churchill në Sheshin e Parlamentit, raporton BBC.
Monumenti u përdhos me grafiti në të cilat ish-kryeministri quhet "kriminel lufte sionist", raporton BBC .
Në skulpturën prej bronzi në Westminster, në qendër të Londrës, janë shkruar me të kuqe mesazhet "Ndalo gjenocidin", "Liro Palestinën", "Kurrë më tani" dhe "Globalizoni intifadën".
Monumenti është i rrethuar dhe është në proces pastrimi.
Një zëdhënës i Policisë Metropolitane tha të premten, më 27 shkurt, se një burrë u pa duke shkruar grafiti me sprej në monumentin e Winston Churchill në Sheshin e Parlamentit.
"Oficerët e parë të policisë mbërritën në vendngjarje brenda dy minutash. Një burrë (38) u arrestua me dyshimin për dëmtim të pronës me motive raciste", tha zëdhënësi.Një zëdhënës i Qytetit të Londrës njoftoi se ishte "i tmerruar nga ky vandalizëm".
Siç shtoi ai, policia u paralajmërua për grafitet nga rojet e trashëgimisë kulturore që patrullojnë Sheshin e Parlamentit 24 orë në ditë.
Në dhjetor, si Policia Metropolitane ashtu edhe Policia e Mançesterit njoftuan se kushdo që bërtet "le ta globalizojmë intifadën" do të arrestohet.Vendimi nga të dy departamentet e policisë vjen pas sulmit terrorist në Bondi Beach , si dhe sulmit terrorist në një sinagogë në Heaton Park të Mançesterit në tetor.
Monumenti i ish-kryeministrit ka qenë shënjestër vandalizmi disa herë më parë, përfshirë gjatë protestave.Në qershor të vitit 2020, mbi të u shkruan grafiti duke akuzuar Churchillin për racizëm, gjatë protestave të lëvizjes Black Lives Matter, të shkaktuara nga vdekja e George Floyd në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më vonë atë vit, në tetor, një aktivist nga lëvizja e Rebelimit të Zhdukjes u urdhërua të paguante më shumë se 1,500 paund për përdhosjen e monumentit pasi shkroi fjalën "racist" në bazament gjatë një proteste për klimën.
Monumenti 3.6 metra i lartë, vepër e skulptorit Ivor Roberts-Jones, u përurua në vitin 1973 nga e veja e kryeministrit të kohës së luftës, Zonja Churchill.
Është një nga 12 monumentet në ose përreth Sheshit të Parlamentit, kryesisht të dedikuara për burra shteti të famshëm, si Abraham Lincoln dhe Nelson Mandela.