26-vjeçarja pretendon dhunë nga burri, gënjen policinë dhe prokurorinë, gjyqtarja e burgos me prova të inskenuara
Emisioni “Piranjat” do të transmetojë historinë me fund aspak të lumtur të Leonardit nga Vau i Dejës dhe Gjovanës nga Bushati, të cilët pas përplasjeve disa vjeçare, aktualisht janë të divorcuar.
Njohja e tyre nisi në vitin 2020 kur Leonardi jetonte në Itali me vajzën e tij Kiara, asokohe 6 vjeçe, ardhur në jetë nga një martesë e mëparshme e cila përfundoi në divorc. Nga viti 2020 deri në vitin 2024 ky çift ka hequr shumë. Kulmi ishte në datën 12 gusht 2024. Leonardi, Gjovana, dy binjakët dhe vajza e tij e mitur u kthyen në Vau i Dejës pas një udhëtimi nga Italia. Po atë ditë, familja Marku ka organizuar një festë dhe në orët e drekës teksa Leonardi ka qenë duke bërë dush në shtëpinë e tij ka trokitur Policia.
“Në banesën time ishin 7 policë. Kam thënë vetëm një fjalë ‘sa shumë paskeni ardhur’. Kur kam shkuar në Komisariat unë kam qenë ‘out’, nuk e kam ditur pse jam aty. Atje më thanë ‘të ka denoncuar bashkëshortja’. Ka bërë raportin Policia, më futën në izolim”, dëshmon 42-vjeçari.
Pasi mbërriti në Komisariat, Gjovana bëri kallëzim penal ndaj tij, duke deklaruar se e ka telefonuar Policinë për shkak të situatës së vazhdueshme të dhunës, si goditje me grushte e shkelma, përplasje për muri, kërcënime për jetën dhe për marrjen e fëmijëve si dhe kërcënime për jetën e familjarëve të saj. Ajo deklaroi se e dëgjoi Leonardin duke folur me prindërit e tij, për veprimet që do të kryente ndaj saj, si mbytje dhe vrasje. Përpara se të bëhej nënë e binjakëve, Gjovana ishte shtatzënë, por fatkeqësisht ajo shtatzëni nuk arriti të përfundojë. Diçka që e tregoi edhe para OPGJ-së, duke u shprehur se Leonardi e godiste në bark dhe nuk e çonte në spital. Referuar dëshmisë së 26-vjeçares, ai e dërgoi vonë për mjekim dhe aty mjekët i kanë thënë se fëmijëve u ka pushuar zemra. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në vitin 2022. Gjithashtu Gjovana shton në kallëzimin e saj se ka përjetuar dhunë sistematike nga bashkëshorti që në momentin që janë martuar dhe se ai nuk e ka lejuar të dalë nga shtëpia. E reja pretendon se edhe kur ka shkuar në spital e dhunuar, askush nuk e ka ndihmuar, madje sipas saj mjekët bashkë me Leonardin talleshin me të. Gjovana pretendon gjithashtu që Leonardi e ka dhunuar në sy të fëmijëve, madje edhe vetë fëmijët e mitur. Pretendon se e ka kërcënuar me prerje flokësh dhe denigrim në rrjete sociale, goditje me telefon apo edhe rrahje të vajzës së madhe me vrasëse mizash. Gjithashtu 26-vjeçarja u shpreh para OPGJ-së Klaudio Dorti se Leonardi e ka përplasur për mur deri sa asaj i ka rënë të fikët, më pas kur është çuar ka parë dhomën të mbuluar me gjak dhe se burri e detyronte ta pastronte. Ajo shton se Leonardi e ka rrahur edhe në sy të shokëve të tij dhe tallej me të.
Në raport shërbimi të Policisë së Vaut të Dejës, citohet që telefonatën ta ketë bërë nëna e saj, e cila është shprehur se, “Dhëndri po më mbyt vajzën”. Gjithashtu prindërit e Gjovanës deklaruan para OPGJ-së se e kishin parë në kamera disa herë të nxirë vajzën e tyre, se ajo kohët e fundit i ka treguar për dhunën çnjerëzore të ushtruar nga Leonardi, dështimin e shtatzënisë së parë për shkak të goditjeve, lënien pa ngrënë dhe lloj-lloj makabritetesh që nuk ka mendje njeriu t’i përfytyrojë. Por duke mos qenë asnjëherë prezentë me çiftin në situatat e vazhdueshme konfliktuale, deklarimet e prindërve të Gjovanës nuk mjaftonin. Ndaj në pyetje u morën edhe dëshmitarë të tjerë, prindërit e Leonardit. Nëna e tij do të deklaronte se Gjovana ka probleme të shëndetit mendor dhe e akuzoi atë si gënjeshtare. Ajo mohoi që djali i saj t’i ketë bërë diçka që ajo ta kallëzojë në Polici. Sipas vjehrrës, Gjovana as nuk di të gatuajë dhe as nuk është e pastër. Të tilla pretendime të zonjës u mbështetën edhe nga motra e Leonardit e cila jeton shumë pranë tyre në Itali.
“I thashë: Po banjon si e ke kështu? Mua më vjen më shumë turp prej grave të huaja. Më tha: Nuk kam me çfarë ta laj. Marr shtupën unë, mbush kovën, kur e ngrita kovën ra uji në tokë. U derdh komplet uji dhe më qeshi. I thashë: Mua po më del shpirti, më është tharë gjuha duke të të bërë punët ty, edhe ti më qesh, do të tallesh?! Kur vinte dikush, më vinte turp se ishte si ato fëmijët që hanë dhe bëhen pis, ashtu e kishte xhupin. I thashë: Shko ndërrohu pak. Shkonte ndërrohej dhe e vishte xhupin më të pisët se ç’e kishte”, tregon ajo për gazetarin Freard Rista.
Me fjalë të ndryshme, por i të njëjtit qëndrim ka qenë edhe Gjon Marku, babai i Leonardit. Në deklaratën e dhënë në Polici ai thotë se dyshimet për problemet mendore të Gjovanës i ka marrë fillimisht nga djali, i cili i kishte treguar se ajo ishte nevrike dhe se ishte sjellë keq me vajzën e tij nga martesa e parë. I moshuari shprehet i sigurt përpara oficerit se nuk ka patur dhunë ditën e 12 gushtit dhe se nuk e kupton pse Gjovana ka njoftuar Policinë. Pavarësisht këtyre deklaratave që shprehin të kundërtën e akuzave të gruas së re, kjo e fundit, menjëherë pas incidentit të 12 gushtit 2024, u strehua te qendra emergjente “Gruaja te Gruaja” në Shkodër. Atje ku pas këqyrjes fizike, iu vu re një gërvishtje në kokë dhe një e nxirë në këmbë. Gjovana gjithashtu depozitoi edhe disa foto të ruajtura në telefonin e saj, ku pretendonte se vërtetohej dhuna nga bashkëshorti. Prova këto që iu bashkëngjitën dosjes së Prokurorisë, e cila ende nuk ishte e plotë. Organi i akuzës administroi akt-ekspertimin psikologjik të Gjovanës, kryer nga psikologia Migena Haxhi, e cila doli në konkluzione se, “Gjendja e rënduar e Gjovana Markut është e shkaktuar nga dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar ndaj saj, të përsëritura ndër vite”. Mirëpo duhej edhe një ekspert i dytë që të kopsitej mirë dosja. Kështu Prokuroria administroi edhe akt-ekspertimin psikiatriko-ligjor të zhvilluar nga mjeku Gjon Preçi, i cili doli në konkluzione se, “Gjovana Marku nuk vuan nga asnjë çrregullim madhor i shëndetit mendor, por vetëm paraqet çrregullim përshtatjeje si pasojë e jetës stresante në çift gjatë periudhës 4-vjeçare”. Për emisionin “Piranjat”, psikologia Erisa Aliaj tha se nuk mjafton absolutisht 1 apo 2 intervista për të kuptuar vërtet diagnozën e një pacienti. Megjithatë, bazuar në dy raportet e sipërpërmendura, prokurorja Albulena Kuliçi la mënjanë pretendimet e Leonardit për pafajësi dhe deklaratat e prindërve të tij, duke u bazuar te shenjat në trupin e Gjovanës, deklarimet e saj dhe të afërmve për dhunë të vazhdueshme, dy akt-ekspertimet e mjekëve dhe fotot e administruara nga 26-vjeçarja. Në konkluzionet përfundimtare, prokurorja në fjalë është shprehur se ka prova të arsyeshme që 42-vjeçari të deklarohet fajtor dhe të dënohet me 3 vite burgim, ndërkohë që më datë 17 nëntor 2025, gjyqtarja Elona Mërtiri e dënon Leonardin me 2 vite e 6 muaj burg për “dhunë në familje”, por në arsyetimin e saj shprehet se, “ai prej vitesh ka filluar të ushtrojë dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, që në raste të caktuara mund të jetë përshkallëzuar deri në dhunë fizike, por kjo mbeti e paprovuar pasi nuk kishte prova të tjera përveçse disa fotografi të viktimës me disa të nxira në trup, flokë të prera keq apo syrin e skuqur për të cilat nuk ka një akt mjeko-ligjor që provon origjinën e tyre”.
Që një prokurore të kërkojë 3 vite burg për dhunë fizike dhe psikologjike, por më pas të dënohesh vetëm 6 muaj më pak edhe pasi kanë rënë poshtë akuzat e dhunës fizike, nuk është lehtësim, dhe këtë gjë mund ta bëjnë vetëm prokurorja Albulena Kuliçi dhe gjyqtarja Elona Mërtiri, të cilat mesa duket nuk kanë dashur të kuptojnë ose të pranojnë atë që do t’ju tregojmë tani me detaje, fakte, prova dhe dëshmi rrëqethëse nga Shqipëria dhe Italia, se si Gjovana Marku dhe prindërit e saj në bashkëpunim me avokatet mbrojtëse, vunë në lojë dhe manipuluan një sistem të tërë drejtësie.
Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Gjovana gjatë kallëzimit administroi edhe disa foto për të cilat pretendoi se ishin shenja dhune të shkaktuara nga Leonardi, por e pyetur në gjykatë nëse kishte mundur të dokumentonte dhunën me foto, ajo u shpreh se nuk ka mundur pasi e ka patur telefonin në dhomën tjetër. Kaq do të mjaftonte për Prokurorinë dhe Gjykatën që më e pakta t’i merrte me rezerva ato foto. Në kallëzimin e datës 12 gusht 2024 bërë në Polici nga Gjovana Marku dhe më pas nga deklarimet e prindërve të saj, vihen re kontradikta të mëdha që çojnë në dyshime të arsyeshme se diçka në këtë histori nuk shkon. Raporti i shërbimit të Policisë i asaj dite thotë se, “Gjovana ka dalë me vrap duke thënë se burri do më mbysë mua dhe fëmijët”, diçka që më pas ajo vetë e mohoi në Gjykatë.
“Nuk kam thënë po më vret mua dhe fëmijët, por kam dalë duke qarë”, tha ajo.
Përpara OPGJ-së Klaudio Dorti, Gjovana deklaroi se atë ditë e telefonoi ajo Policinë, për shkak të një situate dhune me bashkëshortin e saj. Mirëpo, disa rreshta më poshtë, brenda të njëjtës deklaratë, ajo shprehet se pasi kishte dëgjuar Leonardin të fliste për të, fjalë të këqija dhe kërcënuese me prindërit, menjëherë i shkroi familjes dhe kërkoi ndihmë. Ndërsa në Gjykatë shprehet ndryshe.
“Unë e kam dëgjuar duke folur me vëllain e vet, duke i thënë që do ta çoj te familja e saj dhe do t’i marr fëmijët”.
Po në raport-shërbim, citohet se telefonatën për denoncimin e ka bërë zonja Mara, nëna e Gjovanës e cila ka deklaruar se, “dhëndri po më mbyt vajzën”, ndërsa më pas ka ndryshuar dëshmi duke thënë se “arrestimin e ka kërkuar Gjovana dhe se Policinë e ka telefonuar bashkëshorti, Agimi”. Nga ana tjetër, Agimi dëshmon se ishte nusja ajo që mori Policinë, pasi Gjovana ishte ankuar se nuk e linin të lante rrobat, por në një tjetër moment deklaron se, “vajza u kishte thënë se atë ditë Leonardi kishte marrë thikën për ta therur” dhe prandaj u telefonua Policia. Për një episod të vetëm, kemi pesë dëshmi tërësisht kontradiktore të ndara mes Gjovanës, nënës dhe babait të saj. Mjafton kaq për të vënë në diskutim këtë moment tepër të rëndësishëm që ka qenë zanafilla e një procesi ndaj Leonardit. Por ky është vetëm fillimi.
Prindërit e Gjovanës, Agim dhe Mara Peci, shkuan të dëshmojnë në Gjykatë më datë 30 gusht 2024 dhe ndërkohë që Leonardi ishte duke dalë, ata e kërcënuan me jetë. 42-vjeçari bëri kallëzim në Polici, por dy bashkëshortët e mohuan t’i kenë thënë fjalë si: “ti lyp sëpatën ballit” dhe “në mos të dënoftë gjykata do të merrem unë me ty”. Ata u detyruan të tregojnë të vërtetën para OPGJ-së, vetëm kur mësuan se efektivi Syrja Nuhi kishte dëshmuar gjithçka që kishte parë e dëgjuar. A mos ndoshta organi i akuzës duhej t’i verifikonte me më shumë kujdes fjalët e dy të moshuarve lidhur me situatën e Gjovanës? Pa harruar edhe faktin tepër të rëndësishëm se të dy ata nuk kishin qenë asnjëherë dëshmitarë të ngjarjeve të pretenduara. Por prokurorja Kuliçi nuk e mendonte kështu, deri kur ngjarja do të merrte një kthesë të papritur brenda në Gjykatë.
“Atë ditë më ke dhunuar me fjalë, nuk është puna se më ke goditur, më ke dhunuar me fjalë”, u shpreh Gjovana.
Dikush me të drejtë mund të mendojë që këto fjalë janë thënë nën presion psikologjik, nga frika se sa të kthehet në shtëpi, kjo grua e re mund të pësojë sërish dhunën e burrit. Por kjo teori nuk qëndron, sepse këto fjalë janë thënë në momentin kur Gjovana e kishte lënë përfundimisht shtëpinë e burrit, për të nisur një jetë të re larg tij. Nga ana tjetër, familjarët e saj, kryesisht nëna, do të tregoheshin tepër agresivë ndaj dhëndrit, në çdo deklaratë që do të bënin përpara hetuesve, por deklarata e Gjovanës se nuk ishte dhunuar, i nxori blof. Deklarimet e dy zonjave janë diametralisht të kundërta, por pavarësisht kësaj, Prokuroria nuk i mori parasysh këto kontradikta, përkundrazi, u soll sikur nuk ishin thënë asnjëherë dhe u fokusua te dhuna që sipas Gjovanës ishte ushtruar ndaj saj gjatë qëndrimit në Itali. Dhe siç do të bënin të gjithë, avokatë, prokurorë e gjyqtarë, Gjovana fillimisht u pyet se përse nuk e kishte denoncuar dhunën barbare nga bashkëshorti i saj në Itali?
“Ajo shprehet se nuk e ka ditur gjuhën dhe telefoni i është mbajtur në mënyrë të padrejtë nga vetë i pandehuri për të shmangur këtë mundësi”, u shpreh në Gjykatë avokatja e saj.
Por diçka këtu nuk shkon aspak. Sepse Leonardi dispononte prova që Gjovana fliste përditë në telefon si me të ashtu edhe me prindërit e saj. Gjovana pretendon se Leonardi nuk e dërgonte në spital që t’i kontrollonte dy binjakët. Kjo gjë nuk është aspak e vërtetë pasi gjithashtu Leonardi disponon fakte dhe prova për të kundërtën. Dhe e gjendur përpara këtyre provave, në seancë gjyqësore Gjovana ndërron menjëherë version.
“Për eko më ke çuar”.
Leonardi, i personifikuar si një bashkëshort dhunues dhe mizor, nga ana tjetër disponon një dosje të tërë me dokumente mjekësore, eko, vizita dhe çdo gjë tjetër që i është dashur bashkëshortes, para, gjatë dhe pas shtatzënisë. Sipas Gjovanës, arsye për mosdenoncimin e Leonardit në Itali ishte edhe mosdija e gjuhës. Por në disa mesazhe dyshimet janë që të paktën një komunikim sado i varfër, ajo e ka në italisht. Siç e tregon edhe në këtë bisedë me Leonardin gjatë kohës që kishte lindur binjakët, ku Gjovana i shkruan, “Më pyeti doktoresha, fola me doktoreshën, mbrapa tha shkojmë kur të hanë, do doktoresha të flasë me ty”. Këto komunikime me doktoreshën italiane, Gjovana i ka deklaruar edhe në gjykatë.
“I thosha, ‘më ço t’i shoh fëmijët te spitali, se më thoshte doktoresha mund të vish kur të duash t’i shohësh, edhe natën’”, u shpreh ajo.
Në gjykatë, psikologia vë në dukje diçka vërtet interesante që ka rëndësi për hetimin.
“Nga këto fenomene dhune ajo është mbrojtur vetëvetiu dhe s’ka bërë asgjë për t’i dalë zot vetes edhe pse ka patur në mënyrë të vazhdueshme policë që kanë ardhur te shtëpia në Itali për sa i përket procedurave të letrave që ata kanë”.
Pra, në shtëpi ka patur një prezencë të vazhdueshme policësh të cilëve mund t’u ishte folur edhe me gjuhën e shenjave. Një deklaratë e fortë e bërë nga nëna e dy fëmijëve më datë 12 gusht në Polici, është dhuna barbare e ushtruar nga Leonardi në vitin 2022, dhunë e cila sipas saj pasoi me dështimin e dy fëmijëve që ajo kishte në bark. Edhe këtu një pasaktësi, ndoshta me qëllim për të rënduar situatën e bashkëshortit, pasi ajo në vitin 2022 i ka lindur shëndoshë e mirë binjakët, ndërsa 1 vit më parë, në 2021, si pasojë e zhvillimit të fetusit jo në pozicionin e duhur në mitër, pësoi abort spontan.
Gjovana gjithashtu deklaroi në kallëzimin penal se Leonardi e kërcënonte me prerje flokësh dhe denigrim në rrjete sociale. Në fakt prerja e flokëve kishte ndodhur vërtet, pak ditë përpara datës 12 gusht 2024. Gjatë ekzaminimit psikologjik zhvilluar në banesën e saj në Bushat, pyetjes se “kush t’i ka prerë balluket”, ajo i përgjigjet “Burri në gjumë”. Ndërkohë në seancën gjyqësore për kërkesën e masës së mbrojtjes, tha: Këto flokë që kam kështu, ose m’i ka prerë natën ose nuk e di, unë jam çuar njëherë nga gjumi kur e kam parë veten kështu.
E pyetur në seancë nga gjyqtarja e çështjes, psikologia deklaroi: Lidhur me prerjen e ballukeve, unë mendoj që Gjovana manipulon në atë rast.
Mirëpo kush e mori për bazë këtë? Asnjë. Të paktën deri kur vetë Gjovana tregoi të vërtetën.
“Flokët i kam prerë vetë”.
Në deklaratën e saj para OPGJ-së, përpos historisë së prerjes së ballukeve, Gjovana deklaroi se Leonardi në Itali e ka rrahur në sy të shokëve të tij dhe tallej me të. Por në Gjykatë do ta mohonte diçka të tillë. Ajo ç’ka rezulton skandaloze nga ana e Prokurorisë ka të bëjë me të tilla devijime deklaratash, që nuk janë konsideruar asnjëherë si “deklarime të rreme”, për shkak se sipas prokurores Kuliçi, “këto janë fakte dytësore në lidhje me akuzën e ngritur. Duke qenë fakte dytësore nuk mund të përbëjnë dëshmi të rreme të dhënë nga ana e shtetases Gjovana Marku”.
Për emisionin “Piranjat”, ish-prokurori Eugen Beçi, tha se drejtësia nuk parashikon fakte parësore apo dytësore, por se çdo fakt duhet marrë parasysh në gjithë kontekstin e hetimit.
Kontradiktore lidhur me dhunën e pretenduar të ushtruar në Itali, është edhe vetë Gjovana, e cila në Polici deklaroi se “nuk kam treguar gjë se s’doja të mërzisja familjen dhe i thosha jam rrëzuar”, ndërsa në Gjykatë, pretendoi të tjera gjëra.
“Te familja ime jam ankuar herë pas here, i kam thënë se më kërcënon, më godet, më ka shkapur për muri. Dhe më ka çarë kokën është bërë vendi gjak”.
Prindërit e Gjovanës gjithashtu shfaqen kontradiktorë kur thonë se kanë qenë prej vitesh në dijeni të dhunës së Leonardit, por nga ana tjetër nuk e dëshironin ndarjen mes çiftit.
“Vetëm familjes time ia tregoja, por më thoshin ‘rri për hatër të fëmijëve se ndoshta ndryshon edhe ai, rrit fëmijët’”, u shpreh Gjovana.