Gjermania veto Serbisë pas ndryshimeve ligjore në gjyqësor

Me kërkesë të Gjermanisë, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbajtën një debat të jashtëzakonshëm mbi situatën në Serbi pas miratimit të ligjeve që reduktojnë pavarësinë e gjyqësorit, të cilat Komisioni Evropian i vlerësoi si një hap të rëndësishëm prapa. 

Disa vende përfshirë Gjermaninë, Holandën vendet skandinave dhe ato baltike kërkuan që të merret në konsideratë pezullimi i fondeve nga Plani i Rritjes për Serbinë, nëse këto ndryshime ligjore në gjyqësor mbeten në fuqi.

Ato shprehën “shqetësim serioz”, duke thënë se ndërhyrja në gjyqësor përfaqëson një pengesë në sundimin e ligjit.

Nga ana tjetër, një grup vendesh, përfshirë Francën, Italinë, Hungarinë, Sllovakinë kanë mbështetur një “qasje të ekuilibruar” ndaj Serbisë, duke paralajmëruar se një “pezullim i nxituar i pagesave” nga Plani i Rritjes do të dëmtonte interesin strategjik të Serbisë për ta afruar atë me BE-në.

Diskutime të ngjashme mbi pasojat e miratimit këtyre ligjeve ishin mbajtur disa herë në muajin shkurt, në takimet e Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE (COELA).

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, tha më parë këtë muaj se Komisioni Evropian do të vlerësonte nëse Serbia i kishte përmbushur parakushtet për pagesën e fondeve nga Plani i Rritjes.

Sipas BE, parakushtet për rimbursimin e këtyre fondeve pjesë e planit të rritjes janë zbatimi praktik i një sistem demokratik funksional si dhe sundimi i ligjit i njëjtë për të gjithë.