Shkencëtarët një hap më afër vaksinës universale kundër ftohjes, gripit dhe Covid-it
Zhvillimi i një vaksine universale kundër ftohjeve, gripit, Covid-it dhe alergjive ka përparuar ndjeshëm, besojnë shkencëtarët.
Ekspertët nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Stanford në SHBA kanë zhvilluar një vaksinë universale që mund të administrohet si sprej nazal dhe mund të mbrojë kundër një game të gjerë virusesh të frymëmarrjes, baktereve dhe alergjenëve.
Hulumtimi, rezultatet e të cilit u botuan në revistën Science, u krye te minjtë dhe u siguroi atyre mbrojtje të gjerë në mushkëri për disa muaj.Minjtë e vaksinuar ishin të mbrojtur kundër Covid-it dhe koronavirusëve të tjerë, stafilokokut (i cili mund të infektojë lëkurën dhe të shkaktojë sepsë), baktereve Acinetobacter baumannii (i cili mund të shkaktojë infeksione të gjakut, të traktit urinar dhe të mushkërive), si dhe marimangave të pluhurit shtëpiak.
Nëse rezultate të tilla do të transferoheshin te njerëzit, kjo vaksinë mund të zëvendësonte vaksinimet e shumta vjetore kundër infeksioneve të frymëmarrjes dimërore.
Autorët thonë se mund të funksionojë gjithashtu kundër agjentëve të sëmundjeve të reja pandemike."Mendoj se kemi një vaksinë universale kundër kërcënimeve të ndryshme të frymëmarrjes", tha Dr. Bali Pulendran, drejtor i Institutit për Imunitet, Transplantim dhe Infeksion në Universitetin e Stanfordit dhe autor kryesor i studimit.
Ai shtoi se do të ishte më se mirë të merrnit një sprej nazal në muajt e vjeshtës që ju mbron nga të gjitha viruset e frymëmarrjes, duke përfshirë Covid-in, gripin, virusin respirator sincicial (RSV, shkaku më i zakonshëm i bronkitit) dhe ftohjen e zakonshme, si dhe nga pneumonia bakteriale dhe alergjenët e pranverës së hershme.
"Do të ndryshonte praktikën mjekësore."
Studiuesit tani shpresojnë ta testojnë vaksinën te njerëzit.
Dr. Pulendran beson se dy doza të sprejit nazal do të ishin të mjaftueshme për të ofruar mbrojtje tek njerëzit dhe vlerëson se, me fonde të mjaftueshme, një vaksinë mund të jetë e disponueshme brenda pesë deri në shtatë vjetësh.
Shumë e mirë për të qenë e vërtetë?
Në studim, shkencëtarët demonstruan mbrojtje te minjtë dhe treguan se qelizat T të dobishme në mushkëri, të cilat veprojnë kundër patogjenëve, mund të dërgojnë sinjale te qelizat imune të lindura për t'i mbajtur ato aktive.
Pra, në vend që të përpiqet të imitojë një pjesë të patogjenit, vaksina imiton sinjalet që qelizat imune përdorin për të komunikuar me njëra-tjetrën gjatë infeksionit.“Hulumtimi që pretendon një vaksinë universale për frymëmarrjen tingëllon shumë i mirë për të qenë i vërtetë, por studiuesit mund të kenë dalë me një koncept të ri vaksinimi nëse rezultatet te minjtë konfirmohen në provat e ardhshme te njerëzit”, tha Brendan Wren, një profesor i patogjenezës mikrobike në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Ai shton se koncepti bazohet në imitimin e sinjaleve që qelizat tona imune përdorin për të mbrojtur veten, në vend të vaksinave tradicionale që mbështeten në përbërësit e patogjenëve individualë.
"Vaksina e re stimulon pjesë të shumta të sistemit imunitar dhe duket se shpjegon mbrojtjen e gjerë tek minjtë."
Ai thotë se është një qasje premtuese që mund të ketë zbatim të gjerë dhe implikime të rëndësishme, duke shtuar se është ende në fazat e hershme sepse hulumtimet e mëparshme janë kryer vetëm te minjtë, megjithëse ata tregojnë përgjigje të mira imune.
"Faza tjetër do të jenë provat plotësisht të kontrolluara të mbrojtjes nga vaksina, me krahasim të drejtpërdrejtë me formulimet ekzistuese të vaksinave, por ka ende shumë për të bërë para se të dimë nëse kjo qasje prodhon një vaksinë të sigurt dhe efektive për njerëzit", tha ai.