Shkarkimi i Amorim i kushton miliona Manchester Unitedit
Manchester United mund të paguajë mbi 18 milionë euro për të mbyllur përfundimisht çështjen e shkarkimit të ish-trajnerit Ruben Amorim dhe stafit të tij.
Klubi anglez konfirmoi në një deklaratë zyrtare në bursë se ka parashikuar një shumë prej 15.9 milionë paundësh (rreth 18.1 milionë euro), që përfaqëson pagesën maksimale të mundshme për ndërprerjen e kontratave.
“Një parashikim prej 15.9 milionë paundë do të regjistrohet në pasqyrën e të ardhurave gjatë gjysmës së dytë të vitit financiar që përfundon më 30 qershor 2026”, thuhet në dokumentin e publikuar për investitorët në Bursën e Nju Jorkut, ku klubi është i listuar.
Shuma përfundimtare do të varet nga disa kushte të paspecifikuara kontraktuale.
Po ashtu, raporti financiar zbulon se United i pagoi Sporting CP 6.3 milionë paundë (7.2 milionë euro) në vitin 2024 për të liruar Amorimin nga kontrata e tij.
Manchester United mbetet një nga klubet e rralla evropiane të kuotuara në bursë, çka e detyron të publikojë detaje të tilla financiare që zakonisht do të mbeteshin konfidenciale.
Kujtojmë se në vitin 2024, klubi kishte paguar 10.4 milionë paundë për shkarkimin e paraardhësit të Amorimit, holandezit Erik ten Hag dhe stafit të tij.
Shifrat tregojnë koston e lartë të ndryshimeve në stol për “Djajtë e Kuq”, në një periudhë të vështirë sportive dhe financiare për klubin.