Rrëzon kërkesën e SPAK, Gjykata e Lartë lë në fuqi masën e sigurisë për ish të dashurën e Safet Bajrit

Gjykata e Lartë ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Eria Ago, duke lënë në fuqi “arrestin në shtëpi”. Vendimi vjen pas ankimit të paraqitur nga SPAK, i cili kërkoi rikthimin e saj në paraburgim.

Ago, e njohur si ish-partnerja e Safet Bajri, kishte dalë nga qelia në nëntor 2025, por prokuroria e posaçme e kundërshtoi këtë lehtësim të masës në instancën më të lartë gjyqësore.

Ajo po hetohet për akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”, në dosjen që lidhet me vrasjen e Fatbardh Lici, ngjarje e ndodhur në vitin 2018 në Shkodër.

Sipas SPAK, Ago dyshohet se ka ndihmuar në largimin e Astmer Bilali nga Shkodra menjëherë pas atentatit, duke përdorur një automjet tip Mercedes-Benz, lëvizje që është regjistruar nga kamerat e sigurisë në qytet.