VIDEO/ Tragjedi në Milano, tramvajti del nga shinat, 1 i vdekur dhe dhjetëra të plagosur
Nga Alba Kepi
Bilanci i aksidentit dramatik të ndodhur pasditen e sotme në qendër të Milanos është rënduar ndjeshëm. Një person ka humbur jetën, një tjetër ndodhet në spital në gjendje kritike (kod i kuq), ndërsa 38 persona të tjerë janë duke u vlerësuar për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Prej tyre, 6 janë klasifikuar në kod të verdhë dhe 32 në kod të gjelbër. Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia Rajonale për Emergjencat Urgjente (Areu Lombardia).
Alarmi është dhënë në orën 16:12, pas raportimeve për përfshirje edhe të këmbësorëve në incident. Në vendngjarje janë dërguar menjëherë 3 automjete mjekësore, një automjet me infermier, 10 ambulanca dhe 2 mjete për koordinimin e emergjencave masive.
Tramvaji i linjës 9, i cili ishte nisur nga Porta Genova me destinacion Porta Venezia, ka dalë nga shinat në zonën e via Vittorio Veneto, duke shkaktuar viktima dhe disa të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i përgjithshëm i Milanos, Marcello Viola. Prokuroria ka nisur hetimet për “vrasje nga pakujdesia” dhe “plagosje nga pakujdesia”. Dosja i është besuar prokurores së gatshme Elisa Calanducci.
Hetimet janë në fazën fillestare dhe pritet të merret në pyetje drejtuesi i tramvajit. Ndër pistat që po shqyrtohen është arsyeja pse mjeti i ri doli nga shinat – dyshohet se mund të ketë qenë një manovër për të shmangur një këmbësor që ka kaluar papritur – si dhe nëse shpejtësia e lëvizjes ka qenë brenda normave të lejuara. Autoritetet do të verifikojnë gjithashtu dëshmitë e pasagjerëve dhe të të plagosurve, si dhe mundësinë e ndonjë defekti teknik.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, si dhe këshilltarja për Mobilitetin, Arianna Censi, për të ndjekur nga afër situatën.