Përmes IA, hakeri vjedh të dhëna tatimore dhe kredencialet e punonjësve publikë në Meksikë

Një haker përdori chatbot-in e inteligjencës artificial, Claude të Anthropic për të synuar disa agjenci qeveritare në Meksikë, duke vjedhur afërsisht 150 gigabajt të dhëna, duke përfshirë të dhënat tatimore dhe kredencialet e punonjësve publikë.

Lajmi, i raportuar nga Bloomberg, vjen në një kohë kritike për vendin, ku tensionet janë të larta pas vrasjes së kriminelit "El Mencho", me shkolla të mbyllura, ndeshje të pezulluara dhe frikë nga një luftë midis karteleve.

Sipas një raporti mediatik, hakeri anashkaloi filtrat e sigurisë së Claude, duke bërë që chatbot të gjeneronte udhëzime operative dhe mënyra për të shfrytëzuar dobësitë e sistemit.

Viktimat thuhet se ishin autoriteti federal i taksave i Meksikës dhe Instituti Kombëtar Zgjedhor, si dhe qeveritë shtetërore të Jaliscos, Michoacán dhe Tamaulipas, si dhe Zyra e Regjistrimit të Qytetit të Meksikos dhe Autoriteti i Ujit të Monterrey.

Një studim i veçantë nga Gambit Security pohon se aktiviteti zgjati rreth një muaj, dhe shfrytëzoi të paktën 20 të meta sigurie në infrastrukturën meksikane. Pas hetimeve të mëtejshme, ekspertët e Gambit zbuluan gjithashtu përdorimin e ChatGpt për të mbledhur informacion, megjithëse OpenAI pretendon se sistemet e saj penguan disa përpjekje abuzimi.

Anthropic thotë se ka ndaluar operacionin dhe ka pezulluar llogaritë e prekura, duke vënë në dukje se modeli i saj më i fundit përfshin mbrojtje të përmirësuara kundër këtyre problemeve.

Në nëntor, vetë Anthropic pretendoi se kishte penguar fushatën e parë të spiunazhit kibernetik të orkestruar nga inteligjenca artificiale.

Startup-i pretendoi se hakerat e financuar nga kinezët manipuluan mjetin e saj Claude në një përpjekje për të shkelur 30 objektiva globale, nga kompanitë e teknologjisë dhe kimikateve deri te institucionet financiare dhe agjencitë qeveritare. / ANSA.