'Kryeministrja në detyrë ishte Balluku', Gjoni: Largimi i saj si pasojë e presionit gjerman dhe amerikan
Rishikimi i fundit i kabinetit qeveritar nuk ishte një lëvizje strategjike e kryeministrit Edi Rama, por rezultat i një presioni të jashtëzakonshëm, që sipas opozitës, kufizohet me shantazhin. Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni i ftuar ne edicionin e mesditës në Syri tv tha se, ndryshimet e fundit në qeveri u diktuan nga ish-ministrja Belinda Balluku, e cila, sipas tij, ushtron një pushtet absolut mbi kryeministrin.
Në një analizë të fjalimit të gjatë të kryeministrit Rama, Gjoni argumentoi se ky ishte një akt vetëmbrojtjeje për vetë kryeministrin, pasi, sipas tij, “të gjitha fijet e korrupsionit të çojnë tek ai”. Deputeti i PD-së theksoi se largimi i Ballukut nuk erdhi nga vullneti i Ramës, por si pasojë e presionit nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Gjermania dhe SHBA
Burimi i këtij pushteti, sipas deputetit demokrat, është posedimi i informacioneve të ndjeshme që mund të zbulojnë lidhje të drejtpërdrejta mes korrupsionit të lartë qeveritar, tenderave dhe vetë kryeministrit Rama. “Në rast se gjërat nuk do shkojnë sipas prerjes së zonjës Balluku, mund të dalin informacione të tjera,” paralajmëroi Gjoni gjate bisedës me moderatorin Arnold Kariqi.
Një tjetër pikë kritike e analizës ishte sulmi i papritur i kryeministrit ndaj sistemit të drejtësisë, veçanërisht SPAK. Gjoni vuri në dukje kontrastin mes heshtjes së mëparshme të Ramës kur zyrtarë të tjerë të lartë hetoheshin dhe retorikës së ashpër aktuale. “Arsyeja është shumë e thjeshtë: tani i ka ardhur te dera,” deklaroi ai. Sipas deputetit, paniku dhe sulmet ndaj reformës në drejtësi vijnë pasi hetimet po i afrohen rrethit më të ngushtë të pushtetit. “Dera e fundit e pahapur e SPAK-ut është vetëm kryeministri,” përfundoi Gjoni.
Arnold Kariqi: E nisim pak me ditën e djeshme. Në fakt, zoti Rama e nisi me një fjalim 2 orë e 30 minuta, bëri avokatinë e të gjithëve, sulmoi drejtësinë, në fund të ditës pritem imunitetin e Belindës, morëm kokën e Elisës. Si i patë këto ndryshime të qeverisë së pari?
Gjin Gjoni: Në radhë të parë, fjalimi i zotit Rama është pak a shumë një mbrojtje që zoti Rama po i bën vetes së tij. Në rastin konkret për një arsye shumë të thjeshtë, sepse të gjithë shigjetat në lidhje me Belinda Ballukun dhe me gjithë pjesën e korrupsionit për të cilët përflitet sot mazhoranca e sotme, kanë një drejtues dhe kryetari i kësaj qeverie është zoti Rama. Dhe të gjithë fijet e korrupsionit të çojnë drejt atij. Kështu që, në këtë pikëpamje, apologjia ose mënyra se si e trajtoi për një periudhë kohore të gjatë të gjithë fjalimin e tij, kishte të bënte me një mbrojtje që po i bënte vetes, jo Belinda Ballukut. Sepse tanimë, edhe pas vendimmarrjes, Belinda Balluku është larguar nga qeveria, jo për shkak të dëshirës së zotit Rama, por për shkak të presionit të ndërkombëtarëve dhe sidomos të gjermanëve dhe amerikanëve. Dhe këtu unë them që kjo dhe lufta akoma nuk ka mbaruar, sepse Parlamenti Evropian, por edhe kancelaritë evropiane kërkojnë që t'i hiqet imuniteti zonjës Balluku. Dhe në momentin aktual, zoti Rama lëshoi një karotë të vogël për Bashkimin Evropian në mënyrë që mos të shkojnë në kërkesën përfundimtare.
Rezulton po ta shihni për të gjitha rastet për të cilat Rama flet, rezulton që janë të lidhur drejtpërdrejt me fijet të cilat të çojnë deri tek zoti Rama. Nga njëra anë pretendon që është personi i cili sot i vetëm dhe Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, mund të kenë besim se ai nuk është për ndryshimin e reformës në drejtësi. Por nga krahu tjetër, të gjithë gjasat dhe të gjithë premisat të çojnë në drejtimin se zoti Rama nuk është i kënaqur me mënyrën se si po procedohet, mënyrën se si po i afrohet, ngushtohet rrethi...
Arnold Kariqi: Pra, çfarë ndryshoi zoti Gjoni? Sepse janë arrestuar shumë bashkëpunëtorë të zotit Rama, deputetë, kryetarë bashkish, deri ministra dhe nuk ka patur këtë narrativë, këtë agresion kaq të madh të kryeministrit ndaj drejtësisë. Deri dje pra, drejtësia ishte në rrugën e duhur, po bëjmë drejtësi, ndërsa sot drejtësia po bën gabim.
Gjin Gjoni: Po. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Për shkak sepse tani, ka ardhur te dera e fundit, ose e parafundit, në rast se do e quajmë ne, sipas konceptit të atij. Dhe rezulton që tani janë hapur të gjithë petët e lakrorit dhe gjithçka është sheshit. Dhe po të shihni edhe ndryshimet të cilat ka propozuar në qeveri, janë ndryshime të diktuara nga Belinda Balluku. Janë të gjithë varësit e Belinda Ballukut nga njëra anë, por janë edhe njerëz të cilët kanë pasur lidhje dhe kanë komunikime të drejtpërdrejta dhe janë të përfshirë në të gjithë tabulatet telefonike, por edhe komunikimet që kanë patur në lidhje me tendrat, në lidhje me mënyrën e realizimit të tyre. Rezulton që sot, njeriu i cili ka një pushtet absolut në lidhje me Edi Ramën është Belinda Balluku. Dhe fakti që sot pasardhësit janë të gjithë zyrtarë ose nënpunës të cilët kanë qenë në administrate, rreth i ngushtë dhe sot dy apo tre prej tyre po promovohen si ministra, tregon që situata është e atillë që presioni i Belinda Ballukut ndaj zotit Rama është shumë i madh. Është shumë i madh.
Ajo e cila ngre pikëpyetje në momentin aktual është lëvizja e Elisa Spiropalit, i cili ishte një yll në ngjitje në Partinë Socialiste, sepse futej tek njerëzit të cilët kishte edhe për shkak të qenies së saj kryetare e parlamentit, tani kalimi në pozicionin e ministres së jashtme, por fshirja e saj nga skena politike, të paktën sipas aludimeve të cilët sot kanë dalë hapur në media, rezulton që është ndikimi i Belinda Ballukut….