Rooney zbulon dhuratën e Maradonës: Ishte pak e çuditshme pas një dite zhgënjyese

Wayne Rooney ka rrëfyer një episod të pazakontë nga viti 2013, që përfundoi me një dhuratë surprizë nga legjenda argjentinase, Diego Maradona. Ngjarja ndodhi pas ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të UEFA Champions League mes Manchester United dhe Real Madridit.

Rooney kujton se në ndeshjen e parë në “Bernabéu” kishte dhënë asist për golin e Welbeck, që solli barazimin 1-1. Por në sfidën e kthimit, në “Old Trafford”, trajneri legjendar Alex Ferguson e la në stol, një vendim që e zemëroi shumë sulmuesin anglez.

“Më tha se do të qëndroja në stol dhe kjo më tërboi. Kisha luajtur jashtë pozicionit, bëra punën për ekipin dhe ndihmova për një rezultat të mirë jashtë fushe, por në fund humbëm 1-2,” tregoi Rooney në “The Wayne Rooney Show”.

Pas zhgënjimit, ai doli për darkë me bashkëshorten, Coleen, në restorantin “Wing’s”, i njohur për frekuentimin nga futbollistët e Premier League. Aty ndodhej edhe Maradona. “Isha me tuta sportive dhe ai ishte me kostum e kravatë. Bëmë një foto bashkë,” rrëfeu Rooney.

Por momenti më i çuditshëm erdhi më pas: “Ai ma dha kravatën e tij. Ishte pak e çuditshme, e hoqi dhe ma vendosi, ndërsa unë isha ende me tuta të klubit.”

Edhe pse mbrëmja kishte nisur me zemërim dhe disa gota verë për të “mbytur” zhgënjimin, Rooney thotë se të paktën fitoi diçka nga ajo natë: “Ishte një moment i çuditshëm, por të paktën mbeta me kravatën e Maradonës.”

Sipas medieve angleze, Maradona ishte i pranishëm në “Old Trafford” atë mbrëmje, pasi vizitat e tij në Manchester ishin të shpeshta, për shkak se vajza e tij Giannina ishte e martuar me ish-sulmuesin e City-t, Kun Agüero.