Barcelona me shumë fat në shortin e Champions-it, i hapet ‘autostrada’ drejt finales
Hedhja e shortit për 1/8 e Champions League ka dhënë një frymë lehtësimi për Barcelonën, e cila shmangu sfidën me PSG dhe tashmë ka një rrugë më të favorshme drejt finales. Newcastle do të jetë rival i katalanasve në këtë fazë, një kundërshtar që duket më i lehtë krahasuar me PSG-në apo Chelsea-n.
Nëse Barcelona kalon Newcastle, çerekfinalja do të luhet me fituesin e çiftit Atletico Madrid-Tottenham, duke i ofruar skuadrës së Hansi Flick-ut një mundësi reale për të avancuar më tej pa u përballur me gjigantët e tjerë evropianë në këtë fazë të kompeticionit.
Për më tepër, në një gjysmëfinale hipotetike nuk do të përfshihen si kundërshtarë Real Madridi, i cili do të ndeshet me Manchester City-n dhe ndodhet në gjysmën tjetër të tabelës. Kështu, një ‘El Clásico’ mund të ndodhë vetëm në finale, duke i dhënë Barcelonës mundësinë të përqendrohet plotësisht në rrugën e saj drejt Hungarisë, ku do të zhvillohet finalja.
Barcelona e nis sfidën ndaj Newcastle me kujtesën e ndeshjes së shtatorit, ku katalanasit fituan 2-1 jashtë fushe, duke treguar se janë në gjendje të menaxhojnë mirë kundërshtarët anglezë. Tifozët mund të ndihen optimistë, pasi shorti duket se u ka dhënë katalanasve një avantazh të rëndësishëm dhe një mundësi reale për të bërë një rrugëtim të suksesshëm drejt finales së Champions League 2025/26.