Dedaj: Balluku vazhdon të diktojë qeverinë Rama, pavarësisht shkarkimit dhe hetimeve

Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar nuk janë shenjë e një reforme apo vizioni të ri, por një lëvizje e detyruar nga presioni i drejtësisë dhe një betejë e brendshme për pushtet, ku ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, edhe pse e shkarkuar, vazhdon të diktojë emërimet kyçe.

Analizat politike sugjerojnë se lëvizjet e kryeministrit Edi Rama janë një strategji mbijetese, ku më shumë se 70% e qeverisë ka qenë dhe mbetet nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Ballukut.

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', gazetari Everest Dedaj tha se shkarkimet, përfshirë atë të Elisa Spiropalit, nuk bazohen në performancë apo platforma politike, por shihen si rezultat i një lufte të brendshme politike të nxitur dhe orkestruar nga vetë Balluku.

Zëvendësuesit e emëruar në postet e lëna bosh, sipas gazetarit  vetëm sa përforcojnë këtë tezë.

Enea Karakaçi, një ish-drejtor në varësi të Ballukut, është përfshirë në dosjet hetimore të saj dhe aktualisht hetohet nga SPAK për abuzime që arrijnë vlerën e 180 milionë eurove. Raportimet mediatike kanë folur për kontrolle në banesën e tij dhe sekuestrim të celularit.

Ndërkohë, ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka shërbyer si shef kabineti i Ballukut dhe gjithashtu është denoncuar në media për përfshirje në afera korruptive. Këto emërime tregojnë se Balluku, ndonëse e larguar zyrtarisht, ka arritur të vendosë njerëz besnikë në pozicione strategjike, duke siguruar vazhdimësinë e ndikimit të saj.

Dedaj tha se për kryeministrin Rama, kjo duket të jetë një mënyrë për të menaxhuar një krizë të thellë, duke i dhënë sërish pushtet një figure që konsiderohet politikisht “e vdekur” për shkak të hetimeve, por që ruan një fuqi të padiskutueshme brenda partisë.

E gjithë kjo situatë zhvillohet në sfondin e një përplasjeje të ashpër me sistemin e drejtësisë.

Refuzimi i mazhorancës për të hequr imunitetin e Ballukut, pavarësisht kërkesave të SPAK, tregon për një sulm të hapur ndaj organeve të drejtësisë. 

Deklarata e plotë:

“ Edhe në shtator më shumë se 70% e kabinetit dhe më shumë se 70% e qeverisë ju la nën menaxhim Belinda Ballukut.

Pra, ishte Belinda Balluku ajo që përcaktoi emrat e qeverisë në shtator, pra qeverisë së re të Edi Ramës dhe e njëjta gjë ndodh sot pas gjashtë muajsh, por e detyruar nga drejtësia, e detyruar nga trasha e zullumeve, e detyruar nga presioni i ndërkombëtarëve, por e detyruar në një farë forme edhe nga konsistenca e opozitës në raport me denoncimin e dosjeve dhe me ndjekjen e të gjitha skandaleve dhe korrupsioneve të qeverisë.

Në ndryshimet e djeshme të qeverisë Rama nuk ka asgjë të mbështetur mbi platformë apo po themi mbi një vizion përsa i përket interesit qytetar për të ardhmen.

Qoftë përfshirë këtu po themi Ministrinë e Energjitikës, qoftë Ministrinë e Mbrojtjes apo qoftë edhe Ministrinë e Jashtme.

 Elisa Spiropali iku nga një pozicion për shkak të luftës së brendshme politike. Pra nuk ka asnjë arsye në raport me po themi politikat e jashtme apo me një cedim në raport me po themi strategjitë apo politikat e jashtme të qeverisë së Edi Ramës.

 Është thjesht luftë e brendshme politike e ndikuar dhe e nisur drejtpërdrejtë nga Belinda Balluku. Pra, Elisa Spiropali është shkarkuar drejtpërdrejtë nga Belinda Balluku, siç u shkarkua Elisa Spiropali, ashtu u emëruan edhe zëvendësit e saj.

 Enea Karakaçi është ish-drejtor i saj, i përfshirë në dosjet e Belinda Ballukut dhe sot është në SPAK për më shumë se 180 milionë euro abuzime. Pra ku gjendet në dosje bashkë me Belinda Ballukun dhe ka raportime mediatike por jo vetëm, të cilat flasin për kontrolle të banesës të Enea Karakaçit, për konfiskim të celularit, pra sekuestrim të celularit, dhe për çështje të tjera të cilat sot janë po themi nën hetim intensiv nga organet e drejtësisë.

 Po ashtu është edhe Ermal Nufi i cili është emëruar si Ministër i Mbrojtjes, i përfolur, i denoncuar në media, i raportuar në media për i i përfshirë në afera korruptive dhe ka mbajtur drejtor postin e drejtorit të kabinetit në kohën kur Belinda Balluku ka drejtuar ministrinë.

Pra, në të gjitha këto ndryshime nuk flitet për asnjë platformë, nuk flitet për një tentativë, pra, në një farë forme për të përmirësuar qeverisjen apo për të shëruar ato probleme të cilat mund të ketë një qeverisje, por është një mbijetesë politike të cilën Edi Rama po përpiqet ta ta zgjidhë nëpërmjet dhënies sërish të pushtetit Belinda Ballukut.

Edhe pse në një farë forme ajo mund të themi politikisht cilësohet si e vdekur për shkak të çështjeve që ka në në sistemin e drejtësisë dhe për shkak të pezullimit që ju bë si zëvendëskryeministre dhe që solli edhe largimin e saj nga posti i zëvendëskryeministres dhe shkarkimin si ministre, por duhet të kujtojmë në një moment shumë të rëndësishëm, të cilat nuk mund të kalojnë në një farë forme pa pa një lloj komenti, është fakti se ajo vazhdon të mbetet politikisht po kaq e fortë sa ishte përpara, duke diktuar edhe emrat e pasuesve të saj të cilët për hir të vërtetës ndryshojnë në emër por nuk ndryshojnë në veset të cilat ajo i trashëgoi në institucionin që ka drejtuar, pra veset e ndërhyrjes së tenderave publik dhe akuzave për korrupsion".