Mbi 1.5 mln euro vjedhje në Spanjë/ Njëri prej anëtarëve të bandës së hajdutëve u arrestua në Lezhë - Emri
Njëri prej anëtarëve të bandës së grabitësve në Spanjë është arrestuar në Shqipëria ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Mes grabitjeve që i atribuohen organizatës është edhe ajo e pësuar në vitin 2022 nga futbollisti italian Marco Verratti, kur ndodhej me pushime në një vilë në Ibiza, pronë e brazilianit Ronaldo Nazario.
Lexo dhe: Mbi 1.5 mln euro vjedhje/ Mediat spanjolle: Banda shqiptare grabiti edhe vilën e Ronaldos në Ibiza
Syri.net mëson se i arrestuari është Ardit Isufi, i arrestuar në 23 janar 2026 në qytetin e Lezhës në kuadër të operacionit ‘AKSI’. Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit, informon policia e Shtetit.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar 5 pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet. Ndërsa vijon bashkëpunimi me homologët spanjollë, për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia spanjolle ka publikuar pamje të operacionit.
Sipas shefit të Grupit II të Grabitjeve të UDEV Qendrore, organizata dyshohet se qëndron pas njëmbëdhjetë grabitjeve të kryera që nga gushti 2024, duke siguruar një plaçkë mbi 1.5 milion euro në ora, bizhuteri, çanta ekskluzive dhe para në dorë.
Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.