'Rama sillet si pronar i qeverisë' Kikia: Surprizë shkarkimi i Spiropalit, ministrat në ankth kafshonin gishtat dhe thonjtë

Kryeministri Edi Rama shkarkoi mbrëmjen e djeshme numrin 2 të qeverisë pas një mbledhjeje maratonë të dominuar nga sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe drejtësisë duke i besuar vartësit të saj portofolin e rëndësishëm të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Analisti Mentor Kikia I ftuar në studion e ‘Kafe Shqeto’ thotë se shkarkimet që bëhen në mungesë të çdo lloj transparence, madje as vetë ministrat nuk e dinë se kush ikën e kush vjen është tregues si funksionon kjo qeveri. Kikia thekson se ndërkombëtarët duhet të monitorojnë veprimet e Ramës për të garantuar vijimsinë e e punës së SPAK.

 “Kishte një moment kur kamerat fiksuan ministra të cilët ishin të gjithë duke kafshuar gishtat dhe thonjtë, në një pritje ankthi, pasi gjithmonë ndryshimet në qeveri janë të papritura, nuk di askush ikën, askush vjen. Dhe ky lloj misteri, kjo lloj mungese transparence, nuk është aspak normale për një vend dhe një qeverisje demokratike.

 Rama i ka transpozuar qeveritë sa herë ka patur probleme të brendshme, apo ka menduar që nuk po i ecin gjërat mirë.

Për mendimin tim nuk është çështje tek ministrat, tek emrat, por tek mënyra se si funksionon i gjithë mekanizmi i qeverisjes, kështu që nuk më, nuk më bën kurioz fare se kush ikën e kush vjen. Por, ajo mbledhje e djeshme u parapri nga një fjalim i gjatë ku zoti Rama u mor gjatë me me sistemin e drejtësisë.

Jemi në kushte deri tani të një retorike dhe nga fjala s'të vjen e keqja, por një mazhorancë me kaq forcë politike që ka sot, e ka të gjithë pushtetin për të bërë dhe ndryshime dhe nëse do të futet pastaj në veprime konkrete, unë besoj që atëherë do të fillojë, le të themi, përplasja reale.

Rama paralajmëroi për të ndërhyrë, për të marrë lapsin dhe për të hequr viza, për të vënë pika e presje në ligjin aktual  për SPAK-un, unë besoj që këtu ndodhemi përpara një problemi. Fjalimi ishte goxha paralajmërues…. Nëse kjo retorikë do të fillojë të shoqërohet me veprime konkrete, atëherë besoj që do të jetë aktori ndërkombëtar pastaj që do të veprojë për të garantuar vijimsinë e punës së SPAK.

Ndryshimet në qeveri I quan lëvizje të detyruara për të gjetur zv/kryeministri por surprizë mbetet shkarkimi i Spiropalit, edhe pse Kikia argumenton disa nga qëndrimet që ajo kishte bërë si ministre e Jashtme të cilat binin  në kundërshtim me deklaratat e Ramës.

“Ndryshimet mendoj që janë stimuluar nga lëvizja e detyruar për të gjetur zëvendës kryeministrin, i cili kësaj radhe nuk është një ministër që mban edhe portofolin e zëvendëskryeministrit, siç ishte zonja Balluku, apo siç ishte zoti Ahmetaj më herët, por është një detyrë enkas. Dhe tashmë kjo ju besua ish-ministres së Brendshme. Dhe këtu besoj që ka dhe një gjë që, nuk shkon mes shumë gjërave që nuk shkojnë. Ministrja e Brendshme mori atë detyrë e ngarkuar publikisht nga kryeministri për të rregulluar problemin e madh të kaosit urban në Shqipëri, pra mungesën e adresave. Po të kujtojmë këtu ditën kur zoti Rama e prezantoi, tha me krimin merret policia, tha Ministria e Brendshme do merret me këto adresa, të rregullojë, të mos themi më pallati i kuq, pallati me kuba, pallati me shigjeta, pallati i verdhë mbrapa atij jeshilit e kështu me radhë. Dhe prej këtë, për këtë arsye dhe zoti Berisha në parlament e quante miss adresa ministren e Brendshme

Ajo që për mua, në një farë mënyre, përbën surprizën e lëvizjeve është ministri i Jashtëm, zonja Spiropali.  Këtu nuk kam vërejtje për kandidatin që është emëruar. Zoti Ferit Hoxha është një diplomat karriere. Për herë të parë madje mund të themi pa frikë që kemi një diplomat vërtet shumë të mirë në krye të diplomacisë. Por për lëvizjen e Spiropalit, padyshim hamendësimet janë nga më të ndryshmet.  Për një lloj konflikti apo për një lloj ftohjeje mes saj dhe kryeministrit, për disa qëndrime apo deklarata që janë bërë jashtë, me sa duket, vullnetit të kryeministrit, që lidhen me disa qëndrime siç ishte operacioni amerikan në Venezuelë, çështja e bllokimit të vizave, apo qëndrime të tjera me deklaratat e kryeministrit për prioritetet në raport me marrëdhëniet me Kinën. Pra nuk gjej dot arsye tjetër për të justifikuar lëvizjen e Spiropalit.

Zotëria që ka marrë portofolin e ministrit të Mbrojtjes ka drejtuar deri tani kompaninë që do të merrej me prodhimin e mjeteve luftarake në ish-uzinën Traktori në Tiranë, dhe besoj që është një një orientim për të çuar Ministrinë e Mbrojtjes drejt këtij procesi, edhe pse deri tani ka patur aludime apo histori konspirative se kush është mbrapa këtyre bizneseve e kështu me radhë, por besoj që është kjo.

Gjithsesi thashë lëvizjet ishin të imponuara nga  zëvendësimi i zonjës Balluku e mbetur e pezulluar pas vendimit pa vendim të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Spiropali mbetet pa shpjegim edhe pse mendoj që kryeministri është përgjegjësi i vetëm dhe i drejtpërdrejtë për emërimin, çemërimin e ministrave. Gjithsesi ai nuk është pronari i qeverisë, duke qenë se këta janë zyrtarë publikë të rëndësishëm, është e nevojshme një shpjegim publik mbi shkaqet e lëvizjeve. Qytetarët që i kanë votuar dhe që kontribuojnë me taksa do duhet të jenë të sqaruar se çfarë nuk bëri mirë apo çfarë bëri keq një ministër që pas vetëm katër a pesë muajsh dorëzon portofolin”