Rishfaqet Vlahovic, ja kur do të jetë në dispozicion të Spalletti-t

Lajme të mira për Juventusin dhe trajnerin Luciano Spalletti. Dušan Vlahović është gati të rikthehet në fushë pas një mungese të gjatë që nga fundi i nëntorit, për shkak të një dëmtimi të rëndë në bashkimin muskul-tendinë të aduktorit të majtë, për të cilin iu nënshtrua edhe ndërhyrjes kirurgjikale.

Sulmuesi serb pritet që javën e ardhshme të bashkohet sërish me grupin në stërvitje. Ngarkesat do të menaxhohen me kujdes nga stafi mjekësor dhe teknik, por objektivi është i qartë: ta kenë në formën më të mirë për fazën vendimtare të sezonit.

Me ardhjen e Spalletti-t në pankinë, Vlahovic kishte treguar sinjale rilindjeje, para se të ndalej sërish nga dëmtimi në ndeshjen ndaj Cagliari-t. Tashmë, me rreth dy muaj deri në fund, Juventusi shpreson që numri 9 të jetë arma shtesë në garën për vendin e katërt, që aktualisht është katër pikë larg. Përballja e së dielës mbrëma ndaj Romës shihet si moment kyç në këtë objektiv.

Pavarësisht kontratës që i skadon në fund të sezonit dhe paqartësive për të ardhmen, Spalletti i beson plotësisht Vlahovic-it dhe e konsideron thelbësor për shpresat e “bardhezinjve” për të siguruar një vend në UEFA Champions League. Interesant është fakti se në orët e fundit është rihapur një mundësi për rinovim, ndonëse me kushte financiare më të ulëta se ato aktuale.

Nga golat e Vlahovicit do të varen shumë nga ambiciet e Juventusit në këtë fundsezoni, ku skuadra do të ketë vetëm një ndeshje në javë dhe fokus maksimal drejt rikthimit në elitën europiane.