Arsenali kryeson garën për Anthony Gordon, gati oferta 75 milionë paund për ‘yllin’ e Newcastle

Arsenali po përgatit një ofensivë serioze për transferimin e Anthony Gordon gjatë verës, me objektivin për ta mbyllur marrëveshjen rreth 75 milionë paundësh. “Topçinjtë” aktualisht janë në avantazh ndaj Liverpool-it dhe Manchester United në garën për anësorin e Newcastle United.

Trajneri Mikel Arteta është admirues i kahershëm i Gordon-it që nga koha kur lojtari aktivizohej tek Evertoni. Arsenali synon të forcojë krahun e majtë të sulmit, çka mund të sjellë largimin e Gabriel Martinelli-t. Gordon, i cili mbushi 25 vjeç këtë javë, shihet si profil ideal për shkak të shpejtësisë, intensitetit dhe aftësisë për të luajtur në disa role sulmuese.

Newcastle kërkon rreth 95 milionë paundë për kartonin e tij, por burime pranë klubit londinez besojnë se marrëveshja mund të mbyllet mes 75 dhe 80 milionë paundësh. Edhe pse lojtari ka deklaruar publikisht se është i lumtur në “St James’ Park”, ai mund të marrë në konsideratë një transferim nëse paraqitet oferta e duhur.

Së fundmi, Gordon është aktivizuar edhe si numër 9 nga trajneri Eddie Howe, çka i rrit vlerën taktike. Pavarësisht një sezoni me ulje-ngritje në formë, ai pritet të jetë pjesë e planeve të Anglisë për ndeshjet miqësore dhe për Kupën e Botës këtë verë.

Ndërkohë, Arsenali pritet të ketë edhe dalje gjatë merkatos, me Christian Norgaard dhe Ben White që kërkojnë më shumë hapësira. Verë e nxehtë pritet në “Emirates”.