Eliska Babickova njofton ndarjen nga Kimi Antonelli: Asnjë tradhti, ishte zgjedhja ime
Ka përfunduar historia e dashurisë mes Kimi Antonelli-t dhe Eliska Babickova-s. Lajmin e ka bërë publik vetë Eliska përmes një videoje në rrjetet e saj sociale, ku ka sqaruar arsyet e ndarjes dhe ka hedhur poshtë çdo aludim për tradhti.
Në deklaratën e saj, Babickova theksoi se ishte ajo që vendosi t’i jepte fund lidhjes: “Isha unë ajo që vendosa ta mbyll raportin, sepse ndieja se nuk ishim më në të njëjtën linjë në jetët tona personale dhe në atë që donim për të ardhmen”. Ajo shtoi se mes tyre kishte dallime të rëndësishme në vlera, çka e bëri të vështirë vazhdimin e marrëdhënies.
Spekulimet për një tradhti të mundshme u përhapën shpejt në rrjet, por pilotja çeke i mohoi kategorikisht këto zëra. “Nuk ka pasur asnjë dramë, asnjë burrë tjetër, asnjë grua tjetër të përfshirë, asnjë tradhti. Mendoj se është krejtësisht e gabuar të supozohet diçka e tillë, sepse nuk na përfaqëson as mua dhe as Kimin si persona”, u shpreh ajo.
Ndarja duket se ka qenë pa konflikte publike, me respekt të ndërsjellë mes dy të rinjve që janë të përqendruar në karrierat e tyre në botën e garave. Tashmë, si Antonelli ashtu edhe Babickova do të vijojnë rrugët e tyre të ndara, duke u fokusuar te objektivat sportive dhe projektet personale.