Mourinho dhe mallkimi i Champions-it: 10 vite pa fitore në fazën me eliminim direkt

Mallkimi në UEFA Champions League vazhdon për José Mourinho-n. Trajneri portugez, i cili ndërtoi legjendën e tij pikërisht në netët europiane, ka më shumë se një dekadë që nuk fiton një ndeshje në fazën me eliminim direkt të kompeticionit më prestigjioz për klube.

Eliminimi i fundit erdhi pas dy humbjeve të Benfica-s ndaj Real Madridit, duke i dhënë fund aventurës europiane të portugezëve dhe duke thelluar serinë negative të “Special One”. Fitorja e fundit e Mourinhos në një fazë me eliminim direkt daton në vitin 2014, kur drejtonte Chelsea-n. Atëherë, londinezët përmbysën humbjen 3-1 të ndeshjes së parë dhe mposhtën 2-0 Paris Saint-Germain në “Stamford Bridge”, duke siguruar gjysmëfinalen.

Që prej atij momenti, vetëm zhgënjime. Në sezonin pasardhës, Chelsea u eliminua sërish nga PSG në 1/8 të tetat e finales. Në vitin 2018, me Manchester United, Mourinho u ndal nga Sevilla, ndërsa më 2020, me Tottenham Hotspur, u mposht në të dyja ndeshjet nga Leipzig-u.

Ironia është e madhe: trajneri që dikur sundonte Europën me Porton dhe Interin, sot nuk arrin të fitojë asnjë ndeshje pas fazës së grupeve. Futbolli ecën me ritëm të shpejtë, ndërsa pyetja mbetet: a do të arrijë Mourinho të rikthehet në majat e Champions-it, apo epoka e tij europiane i përket përfundimisht së kaluarës?