‘Zarat’ e Belindës në qeveri: Kush është Ermal Nufi, Ministri i ri i Mbrojtjes
Largimi i Belinda Balluku nga detyra nuk duket se përfaqëson një shkëputje reale nga ndikimi i saj në qeveri. Përkundrazi, vendimi i Edi Rama për të promovuar një nga bashkëpunëtorët më të afërt të saj në krye të Ministrisë së Mbrojtjes ngre pikëpyetje mbi thellësinë e ndryshimeve në kabinet.
Emërimi i Ermal Nufit, deri dje Drejtor i Kabinetit të zv.kryeministres së pandehur, shihet si sinjal se rrjeti i besnikëve të Ballukut jo vetëm që mbetet i paprekur, por konsolidohet në poste kyçe.
Kryeministri i vendit duket se është totalisht i kapur nga e pandehura Balluku, ai ka zgjedhur një jurist me karrierë të ndërtuar kryesisht brenda administratës dhe nën hijen politike të ish-zëvendëses së tij. Kjo lëvizje ushqen perceptimin se rotacionet në qeveri janë më shumë riorganizime brenda të njëjtit rreth besnikësh për t'i hedhur hi syve ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve.
Kush është ERMAL NUFI:
Z. Ermal Nufi mbante deri dje pozicionin e Drejtorit të Kabinetit të Zv/Kryeministres Belinda Balluku.
Ai ka përfunduar studimet e nivelit Master në Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 2010. Pas diplomimit, z. Nufi ka punuar si Konsulent Ligjor në sektorin privat dhe atë te organizatave jo-fitimprurëse vendase dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, z. Nufi ka mbajtur edhe pozicionin e pedagogut të jashtëm ne te drejtën civile dhe tregtare pranë Instituti i Studimeve Strategjike dhe Trajnimeve.
Që prej vitit 2013, është licencuar si Avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si Anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021 Z. Nufi ka mbajtur mban pozicionin e Këshilltarit Ligjor të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare, kryesisht nën hijen e Belinda Ballukut.
Më pas, me vendim të Këshillit të Ministrave, ai është emëruar Kryetar i Bordit Menaxhues te Autoriteti Rrugore Shqiptare, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryesoi Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.