Zyrtare/ Martin Demichelis, trajner i ri i Mallorcës së Vedat Muriqit
Mallorca ka zyrtarizuar emërimin e Martín Demichelis si trajner të ri të ekipit.
Strategu argjentinas ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit aktual në La Liga, me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër.
Klubi e bëri të ditur lajmin përmes rrjeteve sociale, duke konfirmuar se Demichelis ka marrë drejtimin e skuadrës ku aktivizohet edhe Vedat Muriqi.
“Martín Demichelis, trajneri i ri i Mallorcës. Trajneri argjentinas nënshkruan deri në fund të sezonit me opsion për një tjetër. Mirë se erdhe në shtëpi, Martín”, shkruan klubi spanjoll.
Ish-trajneri i River Plate vjen pas disa ditësh negociatash intensive për të zëvendësuar Jagoba Arrasate, i cili u shkarkua pas një serie rezultatesh negative që e lanë Mallorcën në vendin e 18-të, vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.
Demichelis merr menjëherë drejtimin e skuadrës me objektivin e qartë për të siguruar mbijetesën në ndeshjet e mbetura të sezonit.
Një nga pikat më të forta të ekipit këtë sezon ka qenë forma e shkëlqyer e Muriqit. Sulmuesi kosovar po kalon një sezon fantastik, duke realizuar 16 gola në kampionat dhe duke qenë arma kryesore ofensive e Mallorcës.