Ndryshimet në qeveri/ Berisha: Lëvizja e Ramës për të shpëtuar lëkurën e tij! Dorëheqja, zgjidhja e vetme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar menjëherë me anë të një videomesazhi, pas ndryshimeve në qeveri të ndërmara nga kryeministri Edi Rama, pak orë më parë.

Në postimin e tij në Facebook, Berisha e quan këtë lëvizje të Edi Ramës për të shpëtuar lëkurën e tij dhe dorëheqja e Ramës është zgjidhja e vetme që pranon opozita.

LEXO EDHE: Rama në grahmat e fundit, shkarkon Ballukun, Spiropalin: Ja meremetimet që përfliten

‘Me lëvizjen e tij, ai përpiqet të mashtrojë njerëzit, në një kohë kur ai vet është kreu i organizatës kriminale që drejton. Ndaj dhe, i kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme, përndryshe do përballet me opozitën dhe mbarë popullin shqiptar’, thekson Berisha në fjalën e tij.

Postimi i plotë:

Kjo është lëvizja e Edi Ramës për të shpëtuar lëkurën e tij. Dorëheqja e tij është zgjidhja e vetme që pranon opozita!

Fjala e plotë

Lëvizja e fundit e Edi Ramës është një lëvizje me të cilën kërkon të shpëtojë lëkurën e tij. Por është një lëvizje, e cila fton qytetarët shqiptarë, opozitën shqiptare të vazhdojë fuqishëm protestat, pasi kryengritja paqësore e shqiptarëve synon, ka si qëllim kryesor madhor shpëtimim e Shqipërisë nga Edi Rama dhe jo-kukullat e tij.

Me lëvizjen e tij, ai përpiqet të mashtrojë njerëzit, në një kohë kur ai vet është kreu i organizatës kriminale që drejton. Ndaj dhe, i kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme, përndryshe do përballet me opozitën dhe mbarë popullin shqiptar.

Edi Rama, nuk ka më pranverë për qeverinë tënde dhe për ty. Je shkaku i të gjitha problemeve të mëdha me të cilat përballet sot shqiptarët. Je mater matrix e kësaj të keqe të madhe që ka kapluar qënien, shpirtin, trupin e Shqipërisë.