Vodhën fondet e IPARD për bujqësinë,SPAK nis të hapë letrat. Merr në pyetje Reni Ashikun e CMC
Nga Elton Qyno – Syri.net/
Reni Ashiku, administrator i Converse Management Consulting (CMC) është marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme, që po heton abuzimet financiare të IPARD-it.
Pyetja e Ashikut, është realizuar ditën e sotme, ndërsa hetimet për këtë çështje kanë vijuar në disa drejtime të ndryshme, ku veç administrimit të raportit të përpiluar nga hetuesit e IPARD-it, tashmë në pyetje për këtë çështje në pyetje kanë filluar të meren dhe zyrtarët që administronin këto fonde.
Hetimet lidhen me menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të programit IPARD, një skemë mbështetëse e Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri.
Në këtë çështje, është e kallëzuar edhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor në zonat rurale.
Kujtojmë se në vitin 2023, kur dhe plasi skandali i abuzimit me fondet që BE kishte akorduan për bujqësinë Shqiptare, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, e njohur ndryshe si OLAF ka publikuar një përmbledhje të punës gjatë vitit 2023, ku një hapësirë e veçantë i është kushtuar hetimit në Shqipëri, për abuzimet me fondet e IPARD.
Në 2023, me rekomandimin e OLAF u ndërprenë qindra miliona euro ndihma për fermerët shqiptarë nga programi IPARD 3, pas një hetimi mbi abuzimet e AZHBR, për të cilat u akuzua ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca.
Pasi doli skandali, Krifca u shkarkua si ministre, ndërsa Nisma Thurje dorëzoi një kallëzim për të dhe zyrtarë të tjerë në SPAK.
Në pasqyrën e punës që ka publikuar OLAF bëhet me dije se materialet që u gjetën nga hetuesit e Bashkimit Europian iu dorëzuan prokurorisë shqiptare.
“...nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë...”-thuhet në raportim.
Në pasqyrën që ka publikuar për rastin e abuzimeve në Shqipëri, OLAF raporton se: “...hetoi akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri...”.
Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të “përzgjedhura paraprakisht”, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.
Në përfundim të hetimit, OLAF rekomandoi më tej që BE të anulojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.