Abuzimet me fondet e IPARD, pyetet në SPAK administratori i CMC Reni Ashiku! E kallëzuar edhe ish ministrja Krifca

Reni Ashiku është paraqitur ditën e sotme, 26 shkurt, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për abuzimet me fondet e IPARD.

Ashiku është admninistrator i kompanisë Converse Management Consulting (CMC), shoqëri e cila ofron shërbime konsulence edhe në fushën e agrobiznesit.

Hetimet lidhen me menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të programit IPARD, një skemë mbështetëse e Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale. Në këtë çështje është e kallëzuar edhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Ashiku, për më shumë se 3 orë ka dhënë deklarime në SPAK.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se është pyetur mbi hetimin e prokurorisë së posaçme për abuzimet me fondet e IPARD-it.

Syri tv pyeti pranë organit hetues lidhur me pozitën e tij ligjore dhe interesin për dëshminë e tij, por nuk mori një përgjigje.

Kallëzimi për abuzimet u bë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), pas hetimeve mbi mënyrën e administrimit të fondeve në bujqësi, ndërsa SPAK regjistroi procedim penal.