Juglindja vijon e bllokuar/ Fluks kamionësh e makina presin në doganën e Bllatës për t'u përpunuar

Dëmtimi i rrugës që lidh Tiranën me Jug-Lindjen ka ngarkuar së tepërmi doganën e Bllatës.

Pas marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, i gjithë trafiku, kryesisht mjetet e rënda, është kthyer nga Qafë Thana në drejtim të Bllatës dhe nëpërmjet rrugës së Arbrit drejt Tiranës e Durrësit. Vetëm 2 ditët e fundit janë përpunuar rreth 400 kamionë, të cilët vijnë nga Greqia, Turqia, Bullgaria e Maqedonia e Veriut.

Janë me qindra kamionë që presin rradhën për tu përpunuar, por kapacitetet përpunuese janë të vogla.

Mungesa e një terminali doganor, numri i vogël i doganierëve dhe agjentëve doganor, numri i ulët i kontrollorëve të policisë dhe mungesa e kabinave vështirëson situatën dhe krijon rradhë të gjata.

Dogana e Bllatës, pas hapjes së rrugës së Arbrit, ka marrë rreth 30% të trafikut të Qafë Thanës edhe në ditë të zakonshme. Fakti që distanca Shkup-Qafë Thanë-Tiranë është 298 km, ndërsa Shkup-Dibër-Tiranë është 212 km, rreth 85 km më pak, ka bërë që qytetarët nga Maqedonia perëndimore të zgjedhin këtë rrugë për të ardhur në Shqipëri.

Nëse marrim shifrat, kuptohet lehtë rritja:

Në vitin 2025 kanë kaluar rreth 2 milionë pasagjerë, apo rreth 470 mijë më shumë se në 2024.

Kanë kaluar rreth 700 mijë mjete, apo rreth 300 mijë më shumë se në 2024.

Shtimi i kalimeve si pasojë e distancës më të shkurtër kërkon domosdoshmërisht shtimin e sporteleve, stafit policor dhe kontrollorëve kufitarë, shtimin e agjentëve doganorë dhe hapësirave doganore, si dhe krijimin e një terminali për kamionët dhe mjetet e transportit.