Rama nuk lejon arrestimin e Ballukut: Nuk do ketë dorëheqje në këtë fazë revolucionare të drejtësisë
Edi Rama sfidoi sërish drejtësinë për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Rama tha se zëvendësja e tij, Belinda Balluku, nuk ka pse të japë dorëheqjen pasi për të është ngritur akuzë nga SPAK.
“Do pres raportin e Këshillit të Mandateve, për të thënë edhe unë fjalën time”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të enjten.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen tri herë, qysh kur iu ngrit akuza e parë, jo për korrupsion. Akuza nuk është për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri, me shkrim dorëheqjen kur u pezullua dhe pastaj edhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. E kam hedhur unë tri herë poshtë kërkesën e saj”, tha Rama.
Ai akuzoi drejtësinë se është në një fazë revolucionare dhe shtoi se dorëheqjet morale do vijnë, por vetëm kur të kalojë kjo fazë revolucionare e drejtësisë.
“Kam bindjen që në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, ku ndryshe nga vendet me drejtësi dhe me institucione të konsoliduar, ne nuk mund të hymë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë. E di unë shumë mirë teorinë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, por sot në Shqipëri, ku përmes SPAK drejtësia po bën një shërbim të pamohueshëm për vendin, por edhe një dëm serioz për administratën, mekanizmi i qeverisjes nuk mund të kurdiset dhe shkurdiset sa herë bëhet një akuzë”.
“Koha e dorëheqjeve morale do të vijë, por pasi të kalojë kjo fazë revolucionare e drejtësisë”.