Surprizë para ndeshjes me Sllovakinë, një trajner spanjoll merr drejtimin e Kombëtares Shqiptare

Kombëtarja shqiptare e meshkujve në basketboll ka bërë një ndryshim të papritur në drejtim para ndeshjes së fazës paraeliminatore ndaj Sllovakisë, që do të zhvillohet më 2 mars. Trajner i ri është spanjolli Richi González Dávila, i cili do të udhëheqë ekipin gjatë kualifikimeve të EuroBasket 2029.

González ka një karrierë të pasur ndërkombëtare, duke drejtuar skuadra në 13 vende, përfshirë Spanjën, Bolivinë, Norvegjinë, Islandën, Bregun e Fildishtë, Venezuelën, Republikën Dominikane, Uruguain, Kilin, Korenë e Veriut, Tunizinë dhe Sirinë.

Në një intervistë për “Marca”, trajneri spanjoll deklaroi: “Shpresojmë të kalojmë këtë kualifikim dhe të ndërtojmë një projekt afatmesëm për të përmirësuar basketbollin në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse më ftuan. Ka shumë punë për të bërë.”

Shqipëria ndodhet në grup me Sllovakinë dhe Kosovën, dhe deri tani ka humbur dy ndeshjet e para: 84-99 nga Kosova në Shkodër dhe 73-63 nga Sllovakia jashtë fushe. Më 2 mars, kuqezinjtë do të kërkojnë të ndryshojnë trendin në përballjen ndaj Sllovakisë në Shkodër.

Kombëtarja ka nisur tashmë fazën përgatitore për këtë sfidë, ndërsa ish-trajneri Erkand Karaj do të qëndrojë në ekip si zv.trajner.

“Do të përpiqemi të jemi konkurrues. Kemi një lojtar 22-vjeçar, 1.88 metra të gjatë, Xhulian Tola, i cili ka shumë potencial dhe mund të ndihmojë shumë në ndeshje me ekipe të forta”, tha González Dávila, duke shtuar se është pjesë e ekipit vetëm prej 10 ditësh.