Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve: Izraeli vret më shumë gazetarë se çdo komb tjetër!
Izraeli vrau të paktën 84 punonjës të medias dhe gazetarë në vitin 2025 - shumë më tepër se çdo vend tjetër, në atë që ishte viti më vdekjeprurës i regjistruar ndonjëherë për median e lajmeve.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), publikoi gjetjet të mërkurën në raportin e tij vjetor dhe vuri në dukje "një kulturë të vazhdueshme të pandëshkueshmërisë për sulmet ndaj shtypit" nga ushtria izraelite.
Një total prej 129 punonjësish të medias u vranë në vitin 2025, shifra më e lartë që kur grupi mbikëqyrës filloi të mbante të dhëna në vitin 1992. Izraeli ishte përgjegjës për më shumë se dy të tretat e numrit të të vdekurve.
Shumica e punonjësve të medias të vrarë nga Izraeli ishin palestinezë, por sulmet ajrore izraelite vranë gjithashtu 31 punonjës në zyrat e gazetave jemenase, tha CPJ.
Izraeli ishte kryesisht përgjegjës për vrasjet e synuara, të cilat CPJ i klasifikon si "vrasje", duke kryer 38 nga 47 incidente vdekjeprurëse të regjistruara globalisht nga organizata.
“Izraeli tani ka vrarë më shumë gazetarë se çdo qeveri tjetër, që kur CPJ filloi të mbledhë të dhëna në vitin 1992”, tha ajo në një deklaratë.
Komiteti paralajmëroi se numri i vërtetë i gazetarëve të shënjestruar dhe të vrarë nga Izraeli mund të jetë shumë më i lartë, sepse disa nga vrasjet mund të fshihen potencialisht nga kufizimet e shtypit dhe vështirësitë humanitare, që e ndërlikojnë kryerjen e hetimeve gjatë luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.
“Me shumë prova bashkëkohore të shkatërruara tani, numri i vërtetë i gazetarëve palestinezë në Gaza që u shënjestruan qëllimisht nga Izraeli, mund të mos dihet kurrë”, tha CPJ.
'Kriminalizimi pas vdekjes’
Grupi i të drejtave të njeriut renditi pesë gazetarë të Al Jazeera-s, si të “vrarë” në sulmet izraelite, përfshirë Anas al-Sharif dhe tre të tjerë të vrarë nga një sulm izraelit ndaj një tendë gazetarësh në qytetin e Gazës. Grupi gjithashtu përmendi korrespondentin e vrarë të Al Jazeera-s në Mubasher, Hossam Shabat, si ndër personat e shënjestruar.
Në total që nga fillimi i luftës, Izraeli ka vrarë gati 300 gazetarë dhe punonjës të medias, sipas Shireen.ps, një faqe interneti monitorimi e emërtuar sipas korrespondentes veterane të Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, e cila u vra nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar në vitin 2022.
Izraeli ka pranuar vrasjen e disa gazetarëve, duke i akuzuar ata për lidhje me grupe të armatosura - pretendime të hedhura poshtë nga punëdhënësit e tyre dhe të kritikuara nga CPJ si "shpifje vdekjeprurëse".
Jashtë Gazës dhe Jemenit, sulmet më të shumta që kanë vrarë gazetarë në vitin 2025 ndodhën në Sudan, i cili është në mes të një lufte civile, dhe në Meksikë, e cila është përfshirë nga dhuna e lidhur me krimin e organizuar.
Nëntë gazetarë u vranë në Sudan dhe gjashtë në Meksikë. Katër gazetarë ukrainas u vranë gjithashtu nga sulmet ushtarake ruse, tha raporti i CPJ-së./ Al Jazeera.