PS, primare ka abuzimin, Mziu: Rilindja zhvillon akademi politike me leksione se si të vidhen fondet publike

I ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv deputeti i Partisë Demokratike Xhelal Mziu, ka lëshuar akuza të forta ndaj mënyrës së qeverisjes, duke pretenduar se ekziston një skemë e mirë organizuar për abuzimin me fondet publike. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri Mziu tha se “Shqipëria është kthyer në një “rast Gines” për shkak të nivelit të lartë të implikimit të drejtuesve politikë në afera korruptive”.

Sipas deputetit të PD brenda partisë në pushtet zhvillohen “leksione” se si mund të vidhet. Ai shpjegoi se kjo skemë funksionon përmes fryrjes së kostove të projekteve publike. “Nëse një projekt kushton 100 milionë lekë, atyre u thuhet ta bëjnë me 200 apo 300 milionë. Më pas, këto para përdoren për të blerë vota ose shkojnë në xhepat e grupeve të interesit dhe të partisë,” deklaroi Mziu.

Ish-kryebashkiaku i Kamzës argumentoi se kjo qasje politike ka krijuar një mjedis ku ligji shpërfillet haptazi.  

Ai kritikoi gjithashtu reformën territoriale, të cilën e cilësoi si “vrasëse” për qytetarët, pasi sipas tij, i ka shndërruar bashkitë në subjekte që synojnë fitimin, duke i larguar nga misioni i shërbimit ndaj komunitetit.

Deputeti demokrat theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për një “linjë vertikale” të abuzimit që shtrihet nga nivelet më të larta të qeverisjes deri tek zyrtarët lokale.

Flavio Qarri: Mziu, e fillojmë bashkë, një listë tmerrësisht e gjatë kjo, mbi të gjitha, sidomos në dritën e rastit më të fundit, që është rasti i zotit Beci apo i të “dënuarit politik” të Rrogozhinës, i cili vetëm pas vendimit të formës së prerë e çliroi karrigen e kryebashkiakut, por pa e çliruar bashkinë.

Xhelal Mziu: Në fakt, Shqipëria është kthyer në një rast Gines, për sa i përket, po themi, implikimit të drejtuesve të pushtetit vendor, të qeverisë, të grupit parlamentar. Nuk besoj që ka ndonjë vend të dytë as në rajon, as në botë që të ketë këtë qasje në raport me ligjin. Dhe natyrisht edhe pushteti vendor është i implikuar deri në në maksimumin e saj të mundshëm dhe kjo vjen në radhë të parë vjen për shkak të qasjes politike që ka partia që sot është në pushtet, sepse po ta shohësh, unë duke qenë si kryetar bashkie, por edhe koleg, po themi me mjaft socialistë, ata kishin një tjetër qasje sidomos pas ardhjes së Ramës si si drejtues politik i Partisë Socialiste, por edhe si kryeministër. Ato po ta shohësh zhvillojnë leksione se si mundet ti që të vjedhësh.

Flavio Qarri: Leksione si të vjedhësh?

Xhelal Mziu: Po. Ju i keni parë që organizojnë akademi politike, por në fakt çfarë politike bëjnë ato? Këto janë ato shtyllat kryesore të politikës që ato bëjnë. Së pari, thonë se si ti të përfitosh sa më shumë para dhe këto para të shkojnë, po themi, pastaj në këmbim të votave. Pra çfarë do të thotë, nëse një projekt i caktuar kushton, 100 milionë lekë, thonë ti duhet ta bësh me 200 apo 300 dhe pastaj këto para t'i përdorësh duke i dërguar edhe tek partia, duke i dërguar dhe tek grupet e tjera të interesit, apo duke i dërguar pse jo dhe tek qytetari më i fundit, në aspektin gjeografik, për blerjen e votës.

Flavio Qarri: Më fal, një sekondë, kam nevojë për një ndërhyrje këtu. Nëse buxheti për një projekt është 100 milionë dhe këta e kanë në dorë ta bëjnë 300, a nuk do e garantonin votën e atij qytetarit nëse do investonin 300 milionë në mënyrë të drejtë te projekti, te mirëqenia?

Xhelal Mziu: Kjo që ju thoni është qasja normale. Por këta kanë zgjedhur një rrugë tjetër. A ke parë ti, po themi, në 35 vite demokraci, vetëm tani, në këto vitet e rilindjes, ato investimet me oferta të kërkuara. Pra i mbushet mendja një biznesmeni, bën një projekt rruge dhe shkon, thotë, unë kërkoj që të bëj këtë lloj investimi. Dhe ai investim, dhe njëherë po them që është dy herë, tre herë, katër herë më shumë sesa kostoja reale e saj dhe madje thotë dhe projektin do ta jap falas. Dhe ndërkohë shkon dhe fiton tenderin. Pra, së pari, shkojnë dhe ndërhyjnë, në referencat e saj. Nuk është vetëm kjo. Ju e dini shumë mirë, tërmeti ka ndodhur që në vitin 2019, është harruar tërmeti kudo në botë ku ka ndodhur, dhe ne tërmetin e kemi prezent akoma në Shqipëri. Sa herë që ka zgjedhje, shohim që para pafund shkojnë për të ndërtuar një shtëpi që s'ka ekzistuar fare të një qytetari, shkojnë për të ristrukturuar një objekt shkollor apo tjetër publik që nuk është dëmtuar fare dhe në fakt paratë shkojnë, tek xhepat e strukturës. Pra, ajo çfarë dua të them në thelb është që ka një linjë vertikale të këtij subjekti politik që në bashki, në pushtetin qendror dhe kudo, primare kanë vjedhjen e parasë.

Së dyti, reforma territoriale që u bë në Shqipëri ishte vrastare për qytetarët dhe ndërkohë ato kryetarët e bashkisë i konsiderojnë si drejtues të SHPK-ve, pra që duhet të nxjerrin sa më shumë fitim. E kanë larguar, qytetarin nga shërbimi, nga investimet dhe për pasojë kjo ju ka dhënë atyre një tjetër avantazh ku të mos e konsiderojnë më, mbështetjen e qytetarëve, por të konsiderojnë përdorimin e parave.

Edhe një tjetër element që ka ndikuar negativisht është, po themi, sistemi i drejtësisë. Ju e dini shumë mirë që është trumbetuar në këto vite që reformën në drejtësi e kemi bërë ne, e konsideronin, sistemin e ri të drejtësisë apo SPAK-un e çdo strukturë të sistemit të drejtësisë e konsideronin si një diçka që e kishin prodhuar vetë dhe që nuk do të arrinin një ditë që të përballeshin. Normalisht kjo i ka bërë që ato të mos jenë aspak referent, ndaj ligjit dhe për pasojë sot kemi më shumë sesa gjysmën e kryetarëve të bashkive të cilët janë përpara ligjit. Pra kemi një mori instrumentesh të cilët i ka bërë, “imun” ndaj ligjit, por që në fakt, nëse operon ligji, që nga kryeministri, ministrat dhe çdo kryetar bashkie është i implikuar…