Rinisin fluturimet e rregullta në Meksikë, rihapen aeroportet e Jaliscos

Pas valës së dhunës që goditi shtetin e Jaliscos fundjavën e kaluar si pasojë e vrasjes së kreut të kartelit të drogës atje, ‘El Mencho’, trafiku ajror në aeroportet e Guadalajara dhe Puerto Vallarta është rikthyer në normalitet të plotë.

Grupi i Aeroportit të Paqësorit konfirmoi në një deklaratë se operacionet janë "rivendosur plotësisht".

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania që menaxhon dy objektet, të mërkurën, më 25 shkurt, aeroporti i Guadalajarës operoi 99% të fluturimeve të planifikuara, me tre anulime dhe vetëm një vonesë.

Situata është edhe më e mirë për Aeroportin e Puerto Vallarta-s, i cili është plotësisht funksional pa anulime.

Operatori i aeroportit njoftoi gjithashtu se një transportues kanadez ka rifilluar fluturimet, duke konfirmuar se të gjitha linjat ajrore që operojnë në këto aeroporte janë rikthyer në kapacitet të plotë.

Shërbimet e transportit tokësor për pasagjerët janë gjithashtu plotësisht funksionale në të dy aeroportet, raporton agjencia e lajmeve shtetërore italiane, ANSA.

Pas konfirmimit të vdekjes së liderit të CJNG, shpërthyen trazira të dhunshme në disa qytete. Anëtarë të organizatës kriminale bllokuan rrugët me mjete të djegura, hodhën objekte metalike në asfalt për të penguar qarkullimin dhe u vunë flakën bankave e bizneseve.

Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, deklaroi se vetëm në Jalisco janë vrarë të paktën 25 pjesëtarë të Gardës Kombëtare që nga nisja e përplasjeve. Mes viktimave janë gjithashtu një oficer burgu, një punonjës i prokurorisë dhe rreth 30 anëtarë të organizatës kriminale, duke e çuar bilancin total në të paktën 60 të vdekur.

Qeveria njoftoi vendosjen e 2,500 trupave shtesë, duke e çuar në rreth 10 mijë numrin e ushtarëve të dislokuar në rajon.

Presidentja Claudia Sheinbaum e cilësoi operacionin “vendimtar” dhe deklaroi se situata po shkon drejt normalizimit. “Ka qetësi, ka qeveri dhe koordinim të shkëlqyer të forcave të armatosura. Ne garantojmë paqen e popullit”, u shpreh ajo.

Paralelisht me përforcimin ushtarak, autoritetet meksikane kanë ekstraduar 92 të dyshuar për lidhje me kartelet në Shtetet e Bashkuara që nga shkurti, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Mes tyre është edhe vëllai i “El Mencho”, Antonio Oseguera Cervantes, i njohur si “Tony Montana”, i akuzuar për trafikim kokaine dhe metamfetamine.

Zyrtarët amerikanë theksuan se rastet do të gjykohen në 13 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias, ndërsa disa prej të pandehurve përballen me burgim të përjetshëm.

Autoritetet në të dy vendet deklarojnë se ofensiva kundër karteleve do të vijojë, ndërsa tensionet në Meksikë mbeten të larta.