Heqja e imunitetit të Ballukut, PS mbledh sot qeverinë dhe deputetët
Grupi Parlamentar i PS-së zhvillon sot një mbledhje të zgjeruar me ministrat e kabinetit qeveritar, e fokusuar në prezantimin e punës dhe raportimin për prioritetet kryesore.
Në takim pritet të diskutohet, por edhe të mbahet një qëndrim zyrtar në lidhje me imunitetin e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon autorizim për arrestim.
Takimi nis në orën 11:00 me fjalën hapëse të Kryeministrit Rama në Pallatin e Kongreseve.
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve prokurorët deklaruan se pozitat e Belinda Ballukut janë rënduar dhe, në emër të saj, janë kërcënuar dëshmitarë nga persona të fortë.
Megjithëse PS nuk doli me një qëndrim zyrtar pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, qëndrimi i kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, paralajmëroi qëndrimin kundër të mazhorancës për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke thënë se mjetet e pezullimit janë të mjaftueshme për hetimin. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për të shpallur veten dhe ministrat e kabinetit qeveritar të paprekshëm nga masa e pezullimit nga detyra.
Në seancën e 5 marsit socialistët dhe demokratët do të shkojnë me dy raporte për çështjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku.
Ministrat do të paraqesin raportet e tyre përkatëse, me një kohëzgjatje prej 7 minutash secili. Në përfundim të mbledhjes, fjalën do ta marrë kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.