'Tiranë-Korçë, makth për qytetarët'/ Xhomaqi: Bizneset të paralizuar, heshtja e qeverisë po rëndon ekonominë

E ftuar në një lidhje direkte në emisionin KUSH PAGUAN, me moderatoren Klaudja Karabolli, ishte Sidorela Xhomaqi, korrespondente e Syri Televizion në qytetin e Korçë.

Gazetarja Xhomaqi theksoi se situata e rënduar e infrastrukturës rrugore ka penalizuar ndjeshëm të gjithë udhëtarët që lëvizin drejt Tiranë dhe anasjelltas, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi, veçanërisht në sektorin e turizmit në qarkun juglindor. Sipas saj, bizneset ndodhen në një gjendje paralizimi, kaosi dhe paniku.

Ajo bëri të ditur se ka pasur komunikime të vazhdueshme me biznese që operojnë jo vetëm në Korçë, por edhe në fshatrat turistikë si Dardhë dhe Voskopojë. Të gjitha këto biznese, sipas saj, kanë shprehur një shqetësim të përbashkët: prej pesë ditësh nuk ka pasur asnjë rezervim të ri, ndërsa rezervimet e bëra më herët janë anuluar.

Ajo shtoi se bizneset ndihen të braktisura, duke theksuar se së fundmi në Korçë ka pasur një vizitë të kryeministrit Edi Rama, por pa asnjë komunikim me operatorët turistikë dhe bizneset që po vuajnë më shumë nga kjo situatë. Sipas saj, vizita u kufizua vetëm në inaugurimin e një projekti, në një kohë kur qytetarëve u duhen rreth gjashtë orë për të udhëtuar drejt Tiranës, mes vështirësive të shumta rrugore.

“Sot flasim për një kolaps total, që rrezikon seriozisht sezonin turistik dhe ekonominë lokale,” përfundoi ajo.

Xhomaqi:

Sa i takon edhe rrugës e cila i ka penalizuar në fakt të gjithë udhëtarët të cilët dëshironin të shkonin drejt Tiranës apo edhe e kundërta, duket se kjo është reflektuar edhe në ekonomi. Sa i takon bizneseve në qarkun juglindor, duket se kemi një paralizim le të themi, një kaos, një panik të të gjithë atyre bizneseve të cilët operojnë sa i takon turizmit.

Ditën e sotme unë kam pasur komunikime të vazhdueshme me biznese të cilët operojnë jo vetëm në qytetin e Korçës, por edhe në fshatrat turistikë sikundër është Dardha dhe Voskopoja dhe të gjithë kanë shprehur një shqetësim ë, një zëri. Kanë thënë se prej pesë ditësh tashmë nuk kanë pasur rezervime, ndërsa të gjithë ato rezervime të cilat i kanë pasur një javë më parë, u është dashur që t'i anulojnë.

Kjo për vetë faktin se gjithçka penalizohet nga rruga. Të gjithë ata të cilët udhëtojnë drejt qytetit të Korçës, e e shihnin si mundësi për të ardhur, për të kaluar një fundjavë, por edhe ditët e javës pasi Korça dhe fshatrat turistikë nuk frekuentohen vetëm gjatë ë fundjavës, por edhe gjatë ditëve të javës, të cilat nga ana e kryeqytetasve shihen si shumë të lodhshme dhe preferojnë të vijnë në Korçë apo edhe në fshatrat turistike. Deri në momentin që flasim nuk ka asnjë lloj rezervimi dhe të gjithë ato rezervime janë thuajse të anuluara. Shfaqet një shqetësim dhe nuk e dinë në fakt as operatorët turistikë, as bizneset se kur do të përfundojë...

Ka pasur një heshtje totale. Pak ditë më parë edhe kryeministri erdhi në qytetin e Korçës dhe nuk pati një komunikim me bizneset, ata të cilët e vuajnë më së shumti këtë lloj situate, ju desh vetëm të vinte dhe të inauguronte një projekt i cili është realizuar në qytetin e Korçës, në një situatë dhe në një moment ku qytetarëve u duhet rreth gjashtë orë për të mbërritur në qytetin e Tiranës, por sigurisht me vështirësi të shumta sa i takon edhe rrugëve.

Ndërsa sipas bizneseve, ata ndihen të penalizuar dhe e shohin si të vetmen alternativë rregullimin e rrugës që do të lidhte pikërisht Tiranën edhe qytetet e tjera me qytetet e Korçës apo edhe Ersekës, edhe fshatrat turistike të cilat frekuentohen më së shumti gjatë kësaj periudhe. Ne e themi gjithmonë që Korça në 12 muaj të vitit vijon të jetë një ndër ato qytete i cili është atraktiv, të gjithë ata qytetarë që vijnë apo edhe turistë, flasim për turistët sa i takon Shqipërisë, pasi turistët tashmë që janë nga vende të tjera do ta kenë thuajse të pamundur të vijnë deri në Tiranë në aeroport dhe më pas të detyrohen të vijnë në rrugë alternative, rrugët të cilat janë mjaft të vështira për t'u kaluar dhe aq më tepër për të gjithë ata turistë të cilët nuk e njohin rrugën, është një vështirësi dhe një kolaps total.