Prishja e rrugës izolon Voskopojën/ Operatori turistik: Kemi zero rezervime, po shkojmë drejt falimentimit
Bllokimi i aksit rrugor Korçë-Ersekë ka zhytur në një krizë të thellë turizmin në Voskopojë, një nga destinacionet më të dashura malore në Shqipëri.
I ftuar në ‘Kush Paguan’ në SYRI TV me gazetaren Klaudia Karabolli, operatori turistik në Voskopojë, Anton Falo, u shpreh se situata aktuale është alarmante, me anulime masive dhe ndërprerje totale të rezervimeve të reja, duke ngritur frikën për një kolaps të afërt ekonomik dhe falimentim. "Fundjava që kaloi kishim rreth 70-80% anulime, qoftë në hotel, qoftë në restorant. Ndërsa për javën që vjen, nuk kemi absolutisht asnjë rezervim. Asnjë telefonatë, asgjë. Jemi komplet pa dhoma, pa turistë," pohoi ai, duke u shprehur për një panoramë të zymtë të fshatit turistik të kthyer në një ‘fshat fantazmë’.
Anton Falo: Fundjava që kaloi kishim rreth 70-80% anulime, qoftë në hotel, qoftë në restorant. Ndërsa për këtë javë që vjen, nuk kemi absolutisht asnjë, asnjë telefonatë, asgjë. Komplet jemi pa dhoma, pa turistë, pa gjë. Nuk e di si do të shkojë.
Po, kam një bujtinë me 10 dhoma dhe restorantin. Për këtë javë që vjen nuk kemi as të premte, as të shtunë, as të diel, asnjë rezervim, asnjë telefonatë nuk kemi që mund të prenotojë. Dëmi është shumë i madh, pasi neve kemi dhe punëtorët dhe jemi të detyruar t'i marrim të shtunave dhe të dielave. Dhe në qoftë se nuk i merr të shtunë e të diel punëtorët, pastaj ata të ikin dhe s'ke ku i gjen më. Ke s'ke punë do t'i marrësh. Do detyrohemi t'i vëmë në punë të tjera, duke pastruar lulishte, duke bërë punë të tjera jashtë, jashtë procesit të restorantit dhe të hotelit.
Tani këtu në Voskopojë 80% e fshatit punon me turizëm. 20% punojnë me blegtori. Dhe komplet është i varur nga turizmi, pasi neve punojmë me turistët që vijnë kryesisht nga Tirana, nga Durrësi, Kavaja, Fieri, Elbasani. Këta punojnë në hotel dhe jo nga Korça. Se Korça është afër me Voskopojën dhe 20 minuta vete në Korçë, ai nuk i intereson të flejë këtu. Dhe kjo na dëmton shumë, pasi është klientela jonë që është stopuar që nuk vjen dot nga rrugët e mbyllura.
Uroj që mos të ndodhë kjo gjë se nuk e di si do vejë. Në qoftë se do të vazhdojë dhe dy-tre javë të tjera, është një problem shumë, shumë i madh për të gjithë bizneset këtu në Voskopojë, mbasi nuk e di, nuk e di si do vejë. Shpresoj që të rregullohet sa më shpejt. Punëtorët do t'i marrim se po i le dhe në fundjavë pastaj të ikin, nuk gjen dot më punëtorët. Se është dhe problemi i forcës punëtore, është një vështirësi e madhe, mbasi rinia po ikën dhe jemi të detyruar t'i mbajmë. Ka s'ka punë, është një situatë jashtëzakonisht e vështirë.
Duhet ta shikojnë këtë punën, për shembull dhe sa më shpejt të përfundojë, të rregullohet rruga që të na vijnë se ndryshe neve nuk kemi nga... nga neve nuk varet asgjë në këtë situatë. Neve thjesht presim turistët. Nuk ka turistë, ne nuk punojmë dot. Prandaj i bëj thirrje të gjithë këtyre firmave që merren me rregullimin e rrugës edhe shtetit që të rregullohet sa më shpejt kjo punë. Mbasi rruga alternative që vjen nga Maqedonia apo nga Moglica, është një rrugë shumë e vështirë dhe e ngushtë, mbasi e njoh shumë mirë rrugën e Moglicës unë. Dhe turistët nuk janë të interesuar që të vijnë, të zgjatin rrugën atje dhe edhe qarkullimi është shumë i madh, mbasi është rruga e ngushtë dhe kanë probleme dhe më mirë thonë nuk vijmë sesa të rrezikojmë.