Dhunonte dhe ofendonte nxënësit gjatë mësimit, policia shpall në kërkim mësuesen në Kamëz

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim mësuesen 58-vjeçare në Kamëz, e cila u denoncua se ushtronte dhunë ndaj nxënësve në klasë.

Rasti është transmetuar në një emision investigativ, ndërsa ndaj mësueses janë ndërmarrë hapa të tjera ligjore.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 shpallën në kërkim shtetasen M. H., 58 vjeçe, pasi, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “STOP”, si dhe me veprimet e tjera hetimore të kryera, dyshohet se gjatë zhvillimit të procesit mësimor në një shkollë 9-vjeçare, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve.

Po punohet për kapjen e 58-vjeçares dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.