Deportimi i një babai shqiptar shkakton zemërim në Francë, pronari: Jemi më shumë se të tronditur
Pas një urdhri për të lënë territorin francez, Fasjon Salihu, me shtetësi shqiptare, u dëbua nga Jura këtë të hënë, më 23 shkurt. Shef kantieri me kontratë të përhershme te kompania ‘GP Routes’, ndërkohë që punëdhënësi i tij ka vështirësi për të rekrutuar staf, burri rreth të dyzetave lë pas, pa asnjë të ardhur, gruan dhe dy fëmijët e tij që ndjekin shkollën.
Nga Darian Naryjenkoff dhe Florence Cicolella, FRANCE INFO
Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Të shtunën, më 21 shkurt, Fasjon Salihu paraqitet në xhandarmëri në Jura, siç bën katër herë në javë. Urdhri për të lënë territorin francez e detyronte të qëndronte në arrest shtëpiak. Por ai nuk kishte asnjë arsye të largohej nga Jura. Jetonte me gruan dhe dy fëmijët dhe kishte ecur përpara në kompaninë e ndërtimit ku punonte, nga punëtor i thjeshtë në shef kantieri. Vetëm se atë të shtunë nuk u lejua të largohej nga xhandarmëria. U transferua gjatë fundjavës në qendrën e ndalimit administrativ dhe u dërgua në kufi me një avion që u nis të hënën nga Lioni drejt Shqipërisë.
“Për ne është më shumë se një tronditje”, shprehet Pascal Guinchard, pronari i ‘GP Routes’, punëdhënësi i tij. “Ishte shembullor dhe kishte një familje, plane për të blerë një shtëpi në Francë… Ne kemi vështirësi të gjejmë punonjës në përgjithësi. Ai e nisi si punëtor i thjeshtë dhe ishte aq i motivuar sa e promovuam; e meritonte vendin e tij. Punonte prej qershorit 2024 te ne si shef kantieri për punime rrugore. Nuk patëm fare kohë të përshëndeteshim”.
Pronari është shumë pranë familjes dhe i ka shkruar menjëherë prefekturës së Jura-s për të mbrojtur çështjen e punonjësit të tij model.
Një grua dhe dy fëmijë pa të ardhura
Gruaja e Fasjonit, Berina Salihu, mezi e fsheh dëshpërimin. “Nuk ndihem mirë, por duhet të jem e fortë për fëmijët e mi, nuk kam zgjidhje”. Djali i madh, Ilges, është gjashtë vjeç dhe ka lindur në Shqipëri. Motra e tij e vogël, Iliana, katër vjeçe, ka lindur në Francë dhe nuk ka ekzistencë juridike në Shqipëri. Edhe nëna është nën një urdhër deportimi. Pa pagën e babait dhe në pamundësi për të paguar qiranë, familja nuk e di çfarë do të bëhet me ta. “Po mendoj, nuk di çfarë të bëj me fëmijët”, thotë Berina. “Nuk e di nëse mund të punoj. Edhe unë paraqitem katër herë në javë në xhandarmëri”.
Familja aktualisht mbështetet nga prindër nxënësish dhe banorë të tjerë të komunës. “Nga ana njerëzore është shumë e vështirë”, shpjegon kryetari i bashkisë. “Familja është e shpërbërë; po përpiqemi ta mbështesim në aspektin social. Kam kërkuar informacion të detajuar nga prefektura”.
Prefektura e Jura-s nuk iu përgjigj kërkesave të France 3.
Çifti Salih mbështetet edhe nga AJIR (Açueil Jurassien Intercommunautaire de Réfugiés), një shoqatë e pranishme në Champagnole dhe Lons-le-Saunier. Ajo ishte marrë më parë me motrën e Fasjonit, e cila jeton prej rreth dhjetë vitesh në Francë dhe është natyralizuar si franceze. Ajo punon sot si punonjëse shërbimi në spital dhe ishte ajo që njoftoi shoqatën për situatën e vëllait.
“Jemi të indinjuar nga ajo që po ndodh”, thotë Aude Dulong, nënkryetare e AJIR. “Fasjoni nuk ka asnjë problem, prefektura nuk ka asgjë për t’i qortuar. Flet mirë frëngjisht, fëmijët e tij nuk flasin fare shqip. Është shembullor, dhe këtë nuk e themi për të gjitha familjet që ndjekim. Janë njerëz të thjeshtë, pa probleme, që duan vetëm të punojnë”.
Një ankesë ishte paraqitur më 14 janar, pasi për herë të tretë prefektura e vendosi Fasjon Salihun nën OQTF dhe IRTF (ndalim kthimi në territorin francez që shtrihet në hapësirën Shengen), si dhe në arrest shtëpiak, sa herë që ai kërkonte leje pune ose rregullim të statusit në Francë. “Por prefektura nuk i zbaton të gjitha OQTF-të!”, vazhdon Aude Dulong. “Nuk e kuptojmë këtë vendim; është hera e dytë në pesë vjet që shohim një rast të tillë. I thamë Fasjonit të kërkonte të qëndronte me çdo kusht në Francë, por ai nuk donte të krijonte probleme dhe pranoi të hipte në avion. Dëbohet burri dhe lihet pa mbështetje gruaja dhe fëmijët”.
“Të gjitha këto nuk janë shumë njerëzore. Duhet dikush të bëjë punët që francezët nuk duan t’i bëjnë. Kush do t’i zbrazë koshat e plehrave dhe do të ndërtojë shtëpitë tona pastaj?” shton ajo.
Tani është shumë e vështirë për shoqatën dhe një avokat të sigurojnë rikthimin e Fasjon Salihit, pasi ai tashmë ka lënë territorin francez. “Përveç nëse anulohet vendimi i prefekturës”, saktëson Aude Dulong, “por do të jetë shumë e vështirë.” Një ankesë pritet të shqyrtohet nga gjykata administrative e Besançon më 3 mars.