Bayerni marshon drejt titullit, Neuer rikthehet më shpejt seç pritej
A do të jetë gati Manuel Neuer për supersfidën ndaj Borussia Dortmund?
Shpresat në Mynih janë rritur ndjeshëm, pasi kapiteni i Bayern Munich u rikthye në stërvitje më herët nga sa ishte parashikuar.
Portieri veteran pësoi një çarje të fibrës muskulore në pulpë gjatë fitores 3-0 ndaj Werder Bremen, duke munguar jo vetëm në pjesën e dytë të asaj sfide, por edhe në triumfin 3-2 ndaj Eintracht Frankfurt.
Në vend të tij u aktivizua Jonas Urbig, ndërsa dyshimet për prezencën e Neuer në “Der Klassiker” ishin të forta.
Hapi i parë drejt rikthimit
Të hënën, Neuer zhvilloi një seancë individuale rreth 30-minutëshe në fushë. Edhe pse pa ngarkesë të plotë, ishte sinjali i parë pozitiv që nga dita e dëmtimit.
Stafi mjekësor do të vendosë në ditët në vijim nëse 38-vjeçari është gati për rikthim të plotë pikërisht në ndeshjen më të zjarrtë të sezonit në Bundesliga.
Statistikat e këtij sezoni flasin për rëndësinë e tij: 18 paraqitje në kampionat, pesë ndeshje pa pësuar gol. Në UEFA Champions League, ai ka luajtur shtatë takime.
Bayerni me një dorë te trofeu
Ndërkohë, gara për titull duket se po anon qartë nga bavarezët. Pas barazimit 2-2 të Dortmundit ndaj RB Leipzig, diferenca është zgjeruar në tetë pikë dhe Bayerni është në rrugën e duhur drejt një tjetër titulli kampion në Gjermani.
Megjithatë, Dortmundi mbështetet te forma e fortë në shtëpi: 11 ndeshje pa humbje në Bundesliga, me nëntë fitore dhe dy barazime. Për verdhezinjtë, vetëm fitorja i mban gjallë shpresat, sado të vakëta, për titullin.
Të shtunën në mbrëmje do të mësohet nëse kapiteni i Bajernit do të jetë gati për “Der Klassiker”, apo nëse rikthimi i tij do të duhet të presë edhe pak.
Një gjë është e sigurt: me ose pa Neuer, Bayerni e sheh vijën e finishit gjithnjë e më pranë.