SYRI TV/ Shembja e Boboshticë-Dardhë asnjë masë, në këtë aks vetëm sinjalistikë rrugore
Rruga Boboshticë–Dardhë, e cila është një nga akset kryesore për turizmin në Korçë, vijon të jetë e shembur. Institucionet shtetërore, përveç sinjalistikës së vendosur në rrugë, nuk kanë marrë asnjë masë për të sistemuar këtë aks, i cili është jetik për dy fshatrat turistike.
Ndërkohë, përveç vendosjes së sinjalistikës, autoritetet përkatëse nuk kanë nisur të marrin asnjë masë tjetër për të sistemuar këtë aks, i cili është një nga arteriet kryesore për zhvillimin e turizmit në qarkun e Korçës, pasi lidh dy nga zonat më të frekuentuara, siç janë Boboshtica dhe Dardha.
Kjo problematikë është konstatuar nga drejtuesit e automjeteve dhe nga institucionet është marrë vetëm masa e vendosjes së sinjalistikës, ndërsa kalimi bëhet vetëm me një korsi. Por shembja e rrugës në Librazhd duket se i ka vënë në gjumë ARRSH-në, pasi bllokimi i aksit nacional ka ulur në mënyrë të ndjeshme numrin e turistëve në këto fshatra, duke sjellë boshatisje dhe mungesë të fluksit të automjeteve.
Rreth pesë vite më parë, segmenti iu nënshtrua një riveshjeje asfaltike në kuadër të një investimi të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me qëllim përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe rritjen e standardeve të sigurisë rrugore. Megjithatë, dëmtimi i fundit ka rikthyer shqetësimet mbi cilësinë e punimeve, duke e bërë sërish të nevojshme ndërhyrjen në këtë rrugë jetike për turizmin dhe ekonominë lokale.