'Konflikti për pronën në Baks Rrjoll, banorët: Jo 24 ditë, po 240 ditë po të duhet, këtu do qëndrojmë
Tensioni përshkallëzohet në protestën e banorëve të Baks Rrjollit (Velipojë) që ka hyrë tashmë në ditën e 24-të. Një përplasje me forcat e policisë mësohet se ka çuar në lëndimin e një prej protestuesve, i cili është transportuar me urgjencë në spital.
Banorët shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen nga tokat që i konsiderojnë të tyret.
Një nga përfaqësuesit e banorëve, në një fjalim para të pranishmëve, deklaroi se qëndresa e tyre nuk është thjesht një protestë.
“Kjo nuk është protestë, ne jemi në vendin tonë, në tokat tona. Këtu na kanë lënë të parët, këtu kemi lindur ne dhe fëmijët tanë, dhe këtu do të lindin edhe fëmijët e fëmijëve tanë,” u shpreh ai, duke theksuar se prania e tyre fizike do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Situata u tensionua gjatë ditës, duke kulmuar me atë që protestuesit e përshkruan si një “përplasje serioze” me policinë. Si pasojë, një ambulancë mbërriti në vendngjarje për të marrë njërin prej tyre.
“Na e kanë marrë vëllanë tonë dhe e kanë çuar në spital. Shpresojmë që me ndihmën e Zotit të mos ketë gjë serioze,” tha folësi, duke konfirmuar incidentin.
Protestuesit i dërguan një mesazh të qartë edhe palës që pretendon të ndërtojë në atë truall. “Mos t'i shkojë në mendje se do të ndërtojë pa na llogaritur ne, sepse ne jemi të llogaritshëm,” paralajmëroi ai, duke shtuar se “e gjithë bota e di se ky vend është i yni”.
Me një vendosmëri të palëkundur, banorët zotohen se do ta vazhdojnë rezistencën deri në fund. “Jo 24 ditë, por edhe 240 ditë po u desh do të qëndrojmë këtu,” përfundoi folësi mes brohoritjeve të protestuesve të tjerë, duke sinjalizuar se konflikti për pronën është larg zgjidhjes.
Deklarata e plotë:
"Sot është dita e 24-të që jena në protestë në tokat tona.
Kjo nuk është protestë, kjo jemi në venin tonë, jemi në tokat tona. Jo 24 ditë, po do të bëhen shumë e shumë ditë që ne do japim prezencën tonë fizike e me e me dinjitetin tonë. Se ne e dimë se ky vend i kujt është.
E dinë të tanë, tanë dynjaja. Ne prej këtij vendi nuk dalim e nuk ikim për se tjetër. Se na këtu na kanë lënë të parët tonë, kena le ne, na kanë le fëmijët tonë e do lejnë edhe fëmijët e fëmijëve tonë në këtë vend.
Edhe kështu ta marrin vesh ata zotnitë që janë përzie në këto histori, në këto falsifikime e në këto gjëna, se për kollaj nuk kanë me na zhduk. Të tanë këta rob, të tanë janë të lemi këtu. E mos t'u shkojë në mendja se kanë me na zhduk prej këtu.
Sot ka qenë një ditë përplasje me policinë, kemi patur gjëra jo të vogla, por serioze. Ka ardhë ambulanca, na e kanë marrë vëllanë tonë, na e kanë çu atje te spitali.
Inshalla do ndihmojë i madhi Zot e nuk ka ndonjë gjë serioze edhe vjen. Po desha me i thënë vetëm atij zotnisë se s'du me ia përmend emrin, atij që i ka hedh lekët këtu për me ndërtu në venin tonë.
Mos i shkojë në mendja se ka me ndërtu pa na llogarit ne, se ne jena të llogaritshëm.
Ne mos kujtojnë se nuk jena të pallogaritshëm. Ne jena të llogaritshëm e dinë të tanë njerëzit se ne jena këtu. E do jena. Përpara burra, vëllezër e motra, të tanë, deri në fund të kësaj pune, s'do të dalim. Jo 24 ditë, po 240 ditë do jemi këtu".