Shuma marramendëse në llogarinë e Alcaraz-it: 54 milionë euro vetëm nga premiot e turneve të fituar

Tenisti spanjoll, Carlos Alcaraz, vazhdon të thyejë rekorde si në fushë, ashtu edhe në aspektin financiar. Numri 1 i botës, që kryeson renditjen e ATP prej 15 javësh radhazi, që nga 10 nëntori 2025, po përjeton një nga periudhat më të arta të karrierës së tij.

Triumfi i fundit në turneun Qatar ExxonMobil Open (ATP 500 në Doha) i solli rreth 450 mijë euro shpërblim. Me këtë sukses, Alcaraz e çoi totalin e fitimeve nga çmimet monetare në rreth 54 milionë euro gjatë karrierës, duke llogaritur vetëm turnetë zyrtare.

Rruga e tij drejt majave ka qenë e jashtëzakonshme. Çmimin e parë e fitoi në shkurt të vitit 2018, kur ishte vetëm 14 vjeç, në vlerën simbolike prej 380 eurosh. Që nga ajo kohë, rritja e tij ka qenë e paimagjinueshme, si në rezultate ashtu edhe në të ardhura.

Alcaraz ka hyrë në histori edhe për arritje të tjera madhore. Ai është tenisti më i ri që ka mposhtur radhazi dy legjenda të “Big Three”, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic, gjatë rrugës drejt titullit të dytë në Madrid Open.

Në fillim të këtij muaji, spanjolli arriti një tjetër moment historik, duke u bërë më i riu që fiton katër turnetë e Grand Slam-it, pasi mposhti Djokovic-in në finalen e Australian Open.

Me rekorde, trofe dhe miliona në llogari, Alcaraz po konfirmon se është jo vetëm lider i padiskutueshëm në tenis, por edhe një nga sportistët më të suksesshëm të brezit të tij.