SYRI TV/ Në 1 dekadë, 3.8 mld € u shpenzuan për rrugët, rrugët e sapo inaguruara po shemben
Shqipëria ka investuar mbi 3.8 miliardë euro në rrugë gjatë dekadës së fundit, por cilësia e punimeve ka sjellë kolaps në infrastrukturë. Segmente të sapo ndërtuara janë shembur brenda vitit të parë, duke izoluar banorë dhe ngritur dyshime për abuzim me fondet publike. Ekspertët paralajmërojnë se miliardat e shpenzuara rrezikojnë të kthehen në një gropë financiare për taksapaguesit.
Nga SYRI TV
Shqipëria ka investuar mbi 370 miliardë lekë, gati 3.8 miliardë euro, në infrastrukturën rrugore gjatë periudhës 2014–2025, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Vetëm në vitin 2025 u shpenzuan 44.3 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2026 parashikohet një fond prej 35.4 miliardë lekësh.
Megjithatë, pavarësisht buxheteve rekord, duke marrë si referencë kostot që përllogarit BE-ja për vende si Shqipëria, cilësia e punimeve ka rezultuar problematike. Vendi tani është në një kolaps total, pasi të gjitha investimet e reja të bëra vitet e fundit po shkërmoqen. Në rrugët e sapopërfunduara, asfalti i shtruar me kosto miliona eurosh shfaq dëmtime strukturore pa u mbushur ende viti i parë i përdorimit.
Kjo diskordancë ndërmjet buxheteve rekord dhe cilësisë së dobët të punimeve ngre pikëpyetje të mëdha mbi efikasitetin e mbikëqyrjes teknike dhe standardet e materialeve që përdoren në këto akse.
Brenda një kohe të shkurtër janë shembur rrugët Maliq–Lozhan me vlerë 1.4 miliardë lekë, Qukës–Qafë Plloçë me kosto 260 milionë euro, Boboshticë–Dardhë, Unaza e Burrelit me vlerë 1.3 milionë euro, pista e Formula 1, 11 milionë euro, që u trumbetua si një sukses sportiv nga Rama për të përthithur garat me makina në Shqipëri, ndërsa kulmi shënoi rruga në Librazhd, në vendin e quajtur “Arrat e Gurës”, në fshatin Dragostunjë, ku e gjithë rruga është shembur duke izoluar për të paktën 6 ditë banorët e zonës.
Ekspertët pohojnë se miliardat e shpenzuara rrezikojnë të shndërrohen në një gropë tjetër financiare, ku paratë e taksapaguesve do të duhet të ridestinohen sërish për riparimin e veprave që sapo janë përuruar, thekson revista Monitor. Punimet e dobëta të bëra nga qeveria Rama dhe buxhetet rekord ngrenë dyshime se paratë publike janë abuzuar, duke shkaktuar pasoja të mëdha për qytetarët.
Një tjetër kritikë lidhet me shpërndarjen e fondeve. Investimet janë përqendruar në projekte periferike si Rruga e Arbrit, Tuneli i Llogarasë apo Qukës–Qafë Thanë, ndërsa qendra e vendit – veçanërisht korridoret kryesore 8 dhe 10 – ka mbetur pa infrastrukturë moderne. Kjo ka rritur kostot për popullsinë e qendrës dhe veriut, duke zbehur përfitimet kombëtare.