Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas, rruga 2400 vjeçare shpëton juglindjen, Gazetarja: Kaos dhe rrezik!
Bllokimi total i aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas pas shkatërrimit nga rrëshqitjet masive të dheut, ka detyruar mijëra qytetarë dhe mjete transporti të kthehen pas në kohë, duke përdorur si të vetmen alternativë lidhjeje rrugën antike Egnatia.
Kjo rrugë historike, e ndërtuar 2400 vite më parë gjatë perandorisë romake për të lidhur Romën me Kostandinopojën, është kthyer në zgjidhjen e vetme për të lidhur juglindjen e vendit me kryeqytetin dhe pjesën tjetër të Shqipërisë.
Gazetarja Margarita Mëhillka në një lidhje pë edicionin informativ të mesditës në Syri Televizion tha se megjithatë, ajo që shfaqet si një zgjidhje emergjente, është në fakt një rrugë e amortizuar dhe e lënë plotësisht në harresë. Prej vitesh, në këtë aks nuk është bërë asnjë investim, duke e lënë atë të degradojë dhe të mbushet me gropa.
Kjo rrugë, e papërshtatshme për fluksin e lartë, po përballon tanimë jo vetëm autovetura, por edhe autobusë dhe mjete të tonazhit të rëndë, duke krijuar kaos, mbingarkesë dhe rrezikshmëri të lartë.
Për qytetarët, ky është një kalvar i vërtetë. Gazetarja raporton se ky udhëtim që më parë zgjaste rreth një orë, tani kërkon më shumë se dy orë, duke u shoqëruar me stres të shtuar dhe pasiguri.
Drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar për gjendjen e rrugës, kthesat e forta dhe dëmtimet e shumta.
Veçanërisht e vështirë situata paraqitet për ata që kanë nevoja urgjente, si pacientët që udhëtojnë nga Prrenjasi drejt Elbasanit për të kryer dializën.
Për ta, udhëtimi i vështirë dhe i gjatë në një rrugë malore me një kalim, ku shpesh bllokohet qarkullimi, është kthyer në një sfidë thuajse të pamundur.
Deklarata e plotë:
"Aktualisht ndodhemi pikërisht në rrugën Egnatia, siç e thatë dhe ju pak më herët, 2400 vjeçare, ndërtuar në periudhën e perandorisë romake për të lidhur Romën me Kostandinopojën.
Ndërkohë që sot kjo rrugë është duke i ardhur si në ndihmë të gjithë qytetarëve që duan të frekuentojnë qoftë Prrenjasin, Pogradecin, ndërkohë me pjesët e tjera të vendit, Elbasanin dhe Tiranën, pasi rruga që ka qenë aktualisht, rruga nacionale Librazhd-Prrenjas është totalisht jashtë funksionit prej më shumë se pesë ditësh.
Sot jemi në ditën e gjashtë pra kur rruga pësoi dëmtimet e para të saj dhe rrëshqitjet masive që e çuan dhe në shkatërrimin total.
Aktualisht, unë ndodhem në rrugën Egnatia, siç e përmenda pak më herët, ku, siç duket dhe pas krahëve të mi, janë të shumta automjetet që kalojnë. Kam pasur mundësinë të intervistoj disa prej drejtuesve të automjeteve, por dhe pasagjerëve, të cilët kalojnë në këtë rrugë. Janë banorë të zonës. Ka pasur nga ata që vijnë nga Maqedonia në drejtim të Tiranës, por dhe persona të cilët vijnë nga Prrenjasi për në Elbasan për të kryer dializën.
Sipas tyre, jeta është vështirësuar shumë. Kemi pasur mundësinë që të jemi më afër me shqetësimet e banorëve.
Ata shprehen se kjo rrugë është lënë pa asnjë investim që në periudhën e hapjes së saj. Mund të duket pak pas krahëve të mi dhe gjurmët e rrugës Egnatia, por që nga vitet e shumta që prej ndërtimit të saj, ka pasur normalisht dhe degradim, duke qenë se askush nuk ka vënë dorë qoftë edhe për të mbushur gropat që janë krijuar dhe nga kalimi i automjeteve.
Sot këtë rrugë e frekuentojnë jo vetëm automjete të vogla, pra makina të vogla, por dhe autobus, mjete transporti, por dhe mjete të tonazhit të rëndë.
Duke qenë se janë automjete që duhet të kalojnë nga Prrenjasi për të shkuar në Librazhd ose dhe më tej, dhe rruga që duhet të përshkojnë bëhet për dy orë, ndërkohë që më parë mund të bëhej për një orë rruga Prrenjas-Librazhd.
Ka dhe drejtues automjetesh që vijnë nga Maqedonia.
Kanë provuar më parë dhe rrugën e Gramshit, por shprehen se lodhja është mjaft e madhe dhe rruga atje, kthesa të forta, dëmtimet që janë krijuar në rrugë dhe ditët e fundit, kanë shkaktuar shqetësim dhe le të themi një stres më të shtuar për drejtuesit e automjeteve dhe të gjithë shoferët e automjeteve të transportit që duhet ta frekuentojnë këtë rrugë çdo ditë tanimë prej pesë ditësh.
Ndërkohë që një qytetare që ne kemi mundur të intervistojmë, është e detyruar që të marrë një herë në dy ditë pra dhe të shkojë në Elbasan për të bërë dializën.
Gjë e cila sipas saj është shumë e vështirë ta bëjë në këtë rrugë që ka kthesa të shumta malore, por edhe pamundësi për të kaluar dy automjete njëkohësisht duke e bërë kështu që dhe qarkullimi të ngecë në periudha të caktuara kohore.
Ndërkohë që nga ana e policisë kjo rrugë nuk është sugjeruar fare për shkak të rrezikut që përshkon, sepse rruga është mjaft e ngushtë, le të themi një kalimshe dhe në pjesën tjetër ndodhet humnerë".