Zogjtë po bëhen gjithnjë e më të vegjël. Ja pse

Një studim i ri ndërkombëtar tregon se zogjtë në mbarë botën po bëhen gjithnjë e më të vegjël. Sipas dëshmive të komuniteteve indigjene dhe lokale në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, masa trupore e shumë specieve të shpendëve ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.

Studimi u udhëhoq nga Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë Mjedisore në Autonomous University of Barcelona (ICTA-UAB) dhe u mbështet në kujtesën ekologjike kolektive të 10 komuniteteve indigjene. Gjetjet, të botuara në revistën shkencore Oryx, tregojnë një ulje deri në 72% të masës mesatare trupore të zogjve mes viteve 1940 dhe 2020.

Hulumtimi përfshiu 1434 pjesëmarrës të rritur dhe mblodhi 6914 raporte unike për 283 specie zogjsh. Krahasimi midis specieve të zakonshme gjatë fëmijërisë së pjesëmarrësve dhe atyre që shihen sot zbuloi një model të qartë: speciet me trup të madh janë zhdukur gradualisht nga mjediset lokale dhe janë zëvendësuar nga specie më të vogla.

Në vitet 1940, masa mesatare e zogjve të raportuar ishte mbi 1500 gramë, ndërsa sot është rreth 535 gramë. Autori kryesor i studimit, dr. Álvaro Fernández-Llamazares, shpjegon se kjo rënie lidhet me zhdukjen lokale të specieve të mëdha, të cilat janë më të ndjeshme ndaj gjuetisë, humbjes së habitatit dhe zhvillimit të infrastrukturës.

Studimi thekson se humbja e zogjve me trup të madh ka pasoja jo vetëm ekologjike, por edhe kulturore, pasi këto specie janë pjesë e identitetit, kujtesës dhe praktikave tradicionale të shumë komuniteteve. Ai gjithashtu nënvizon rëndësinë e dialogut të barabartë mes dijes shkencore dhe asaj indigjene për forcimin e politikave të ruajtjes së biodiversitetit.