Konjufca: Një emër nga familja Jashari për president, konsensus automatik në shoqëri

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm një emër që mund të vije nga familja Jashari për president shkakton automatikisht pritje pozitive në shoqëri.

“Ky është një konsensus i partive politike (çështja e presidentit). Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes Jashari”, ka thënë ai pas përfundimit të konferencës për media me homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali.

Konjufca më pas u pyet nëse ka pasur vullnet nga familja Jashari për postin e presidentit.

“Nuk mund të flas për këtë gjë”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para pak ditësh ishte në Prekaz. Ai pati thënë se ishte takuar me Rifat Jasharin, por nuk tregoi nëse është diskutuar çështja e presidentit.

Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 4 mars të zgjedhë presidentin e ri.